Lajme

Abdixhiku i ashpër ndaj Qeverisë: Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi – thirrje që të blejë rrymë

08/14/2022 22:56
nga:G B

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë.

Ai ka thënë se rrymat nuk ruhet në frigorifer por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë.

Postimi i tij i plotë:

KUR PUSHTETI FLE

Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë. Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë.

Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjërë.
Në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë. Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë – pra deponimi i energjisë – ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi.

E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë. Familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë. Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë.

Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet.