Lajme

Abdixhiku: Derisa të tjerët propagandojnë e merren me ne, ne merremi me të ardhmen

12/17/2024 21:08
nga:Sh R

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin për Drejtësi, Mbrojtje e Siguri në Lipjan.

Ai ka thënë se “LDK me program ambicioz i përgjigjet propagandës së pushtetit”.

“Derisa të tjerët propagandojnë e merren me ne, ne merremi me të ardhmen”, ka thënë Abdixhiku në Lipjan.

Ndër të tjera, ai ka thënë se do të ristrukturohet Policia, duke shtuar numrin e policëve për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

“Ristrukturimin e Policisë së Kosovës me 10,000 policë në uniformë, ose mbi 2,000 policë më shumë se sa kemi tani. Pajisjen e Policisë me 1,200 vetura të reja dhe me kamera trupore për të gjitha patrullat”, ka thënë ai.

Abdixhiku po ashtu ka thënë se Kosova ka nevojë për një ushtri moderne dhe anëtarësim në NATO.

Ai ka ripërsëritur zotimim për arsimim ushtarak dhe ndërtimin e 4 kazermave ushtarake.

Sa i përket drejtësisë, Abdixhiku ka thënë se do të përmbyllet procesi i vettingut, derisa ka thënë se do të bëhet edhe digjitalimi i drejtësisë.

“Me programin tonë, me ekipin e fitores, dhe me besimin qytetar në rritje do ta ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”, ka thënë Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Derisa të tjerët propagandojnë e merren me ne, ne merremi me të ardhmen që i duhet Kosovës. Projekte konkrete, ide konkrete.
Sot në Lipjan, në Lipjanin e Imri Ahmetit, në Takimin e 6-të Tematik, prezantuam zotimet tona për Siguri, Drejtësi e Mbrojtje. Tri shtylla që garantojnë lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt. Prezantuam projekte konkrete që do t’i transformojnë rrënjësisht sistemet tona të mbrojtjes, dhe do ta ndërtojnë një Kosovë me drejtësi dhe siguri për të gjithë.
Me mua si Kryeministër, do të kemi:
🔵 Në Siguri:
* Ristrukturimin e Policisë së Kosovës me 10,000 policë në uniformë, ose mbi 2,000 policë më shumë se sa kemi tani.
* Pajisjen e Policisë me 1,200 vetura të reja dhe me kamera trupore për të gjitha patrullat.
* Policimin në bashkësi si nocion ku siguria ndërlidhet dhe ndihmohet në një masë të madhe nga qytetarët e vendit.
🔵 Në Mbrojtje:
* Partneritet për Paqe dhe shtrimin e rrugës drejt NATO-s.
* Rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të BPV-së sipas standardeve të NATO-s.
* Ristrukturimin e FSK-së me 6,000 trupa aktive dhe me ndërtimin e 4 kazermave të reja ushtarake në rajone strategjike.
* Arsimimin ushtarak në shkolla civile për të krijuar bazë të fortë për rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe të dalluar.
* Ndërtimin e vendbanimeve për personelin ushtarak me afërsi fizike të personelit ushtarak me objektet dhe pajisjet ushtarake për kohë më të shpejtë të reagimit
🔵 Në Drejtësi:
* Veting në sistemin e drejtësisë.
* Themelimin e Qendrës Shtetërore të Hetimit për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.
* Digjitalizimin e plotë të proceseve në drejtësi për një sistem më efikas dhe transparent, dhe si hap thelbësor për suksesin e reformave të sistemit të drejtësisë.
Kosova ka nevojë për një ushtri moderne, për një polici të pajisur e të aftë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, dhe për një sistem drejtësie të drejtë. Me programin tonë, me ekipin e fitores, dhe me besimin qytetar në rritje do ta ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë!
BËHU NDRYSHIMI!