Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot është takuar me gratë e Forumit të Gruas në Prishtinë.
Përmes një shkrimi në Facebook tha se përballë sfidave të sotme, duhet të kujtojmë se historia gjithmonë është formuar nga gra që refuzuan të pranojnë më pak.
Ai shprehet i lumtur që sot, brenda LDK-së ka gra e zonja që nivelin e përfaqësimit politik, e kanë në standarde të paarritshme.
“Jam i lumtur po ashtu që në listën e ardhshme për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në listën e fitores së madhe të 9 shkurtit, kemi plot 38 gra, që nesër do të përfaqësojnë shtetin me dinjitet, do të bëjnë politika të drejta, e do të shtyjnë kauza të domosdoshme”, tha ai.
Postimi i plotë:
Një mbrëmje plot energji, pozitivitet e përkushtim me gratë e Forumit të Gruas në Prishtinë!
Përballë sfidave të sotme, duhet të kujtojmë se historia gjithmonë është formuar nga gra që refuzuan të pranojnë më pak. Gra që guxuan të ëndërrojnë më shumë për familjet dhe shoqëritë e tyre.
Gruaja kosovare ka guxuar të ëndërrojë gjithherë!
Vet rruga e Kosovës drejt lirisë, demokracisë dhe progresit është shtruar nga pa fund gra—nëna, bija, aktiviste dhe udhëheqëse—që besuan se një e nesërme më e mirë ishte e mundur. Dhe kjo e nesërme erdhi. Dhe kur gruaja kosovare ka arritur të bëjë të mundur këtë realitet, këtë të sotmin, jam i bindur, jam shumë i bindur, se sfida e barazisë është sfidë krejt e lehtë!
E tëra çfarë duhet është të mos ndalemi.
Të kërkojmë. Të veprojmë, të marrim atë që ju takon.
Si prind i dy vajzave, si bashkëshort i një gruaje, si djalë i një nëne, ju them këtu se sfida juaj është dhe sfidë e imja! Dhe në qoftë kjo është sfida e fundit e imja, do ta bëjë me gjithë forcën që kam, përballë çdo pengese që kam, me gjithë kapitalin që kam!
Prandaj, jam i lumtur që sot, brenda LDK-së kemi gra e zonja që nivelin e përfaqësimit politik, e kanë në standarde të paarritshme. Ato bëjnë vet politikën, bëjnë vet vendimmarrjen. Jam i lumtur po ashtu që në listën e ardhshme për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në listën e fitores së madhe të 9 shkurtit, kemi plot 38 gra, që nesër do të përfaqësojnë shtetin me dinjitet, do të bëjnë politika të drejta, e do të shtyjnë kauza të domosdoshme.
Jam i lumtur, që në shumë qytete, kemi tejkaluar jo vetëm kuotën, por kemi tejkaluar dhe idenë e barazisë. Në Prishtinë, ndër të tjera, mbi 50% të kandidatëve janë gra! Ky shembull, i Kryeqytetit, qytetit më të madh e më të rëndësishëm elektoral, është inkurajues për skenën politike në vend, por këtë herë është arritje e re për Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe secilën parti tjetër në vend!
Në Dragash ndër të tjera, dy nga tre kandidatët janë gra. Në Mitrovicë, dy nga tre kandidatët janë gra. Në Viti, dy nga tre kandidatët janë gra. Në Ferizaj, Fushë Kosovë, Obiliq, përfaqësimi i gruas është 50%, në Han të Elezit është 100%.
Këto numra ishin të pamenduar jo shumë kohë më parë!
Këto ndryshime, tani janë krejtësisht të zakonshme për ne.
Dhe meqë i kemi këto ndryshime brenda, është koha t’i ofrojmë dhe jashtë. Tek të gjitha gratë e vajzat që sot nuk kanë zë, e presin përfaqësimin tuaj në secilën betejë. Ato presin suksesin tuaj, sepse nga ky sukses, varen dhe ëndrrat e mëdha që kanë para vetes!
Prandaj them se beteja e zgjedhjeve tona, e zgjedhjeve tuaja, është betejë e ndryshimit të madh për gratë – e nga aty për gjithë shoqërinë dhe gjithë Republikën.
Sepse Republika jonë, është vet ëndrra jonë!
Ndryshimi sot, është misioni ynë.