Lajme

Abdixhiku: Arsimi është prioriteti ynë, ndryshimi është misioni jonë!

11/25/2024 21:44
nga:G C

Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar programin e tij ambicioz për përmirësimin e arsimit në Kosovë gjatë një takimi në Vushtrri, raporton GazetaBlic.

Abdixhiku theksoi nevojën urgjente për ndryshime të thella, duke përfshirë modelin e mësimit gjithëditor, që do të zgjerohet në të paktën pesë komuna.

Ai premtoi orar të plotë shkollor, shujta të ngrohta për nxënësit dhe rritje të pagave për mësimdhënësit. Gjithashtu, Abdixhiku njoftoi për ndërtimin e 80 çerdheve të reja dhe digjitalizimin e shkollave deri në vitin 2025, duke e bërë arsimin një prioritet kombëtar.

E plotë:

Në Vushtrri, shpalosëm programin tonë ambicioz për arsim. Mes interesimit të madh të mësimdhënësve e profesionistëve të fushës, shtruam projektet tona kryesore.

Sot, në Kosovë, një fëmijë qëndron vetëm gjysmë dite në shkollë! Ai e ajo, që në fillim, janë të pabarabartë me secilin fëmijë bashkëmoshatar në Evropë. Këtë gjendje s’mund ta pranojmë!
🔵 Prandaj, modelin e mësimit gjithëditor në Kryeqytet, do ta bëjmë në – së paku – 5 komuna të tjera në Kosovë. Orar i plotë në shkollë, shujta të ngrohta, rafte për libra e çantat kilogramëshe që po deformojnë fëmijët tanë!
🔵 Koeficient 150 për secilin mësimdhënës; në mesatare rritje e pagave për 200 euro që në javë të parë.
🔵 Do të lansojmë Planin Kombëtar për Edukim të hershëm, me qëllim të sigurimit të çerdheve për fëmijët nga mosha 3 vjeçare. Si rrjedhojë, do të ndërtojmë 80 çerdhe të reja në katër vjet.
🔵 Do të digjitalizojmë shkollat tona, që të jenë të gatshme e në hap me vet vitin 2025. Tabela të mençura, sistem i integruar digjital – për nxënës, mësimdhënës e prindër!
🔵 Provim Kombëtar për mësimdhënësit e rinj, me qëllim të eliminimit të interferimeve politike dhe jo vetëm në vendet e reja të punës. Mësimdhënësit me poentim të lartë do të alokohen me automatizëm në vendet e hapura të punës.

Arsimi është prioriteti ynë!

Ndryshimi është misioni jonë!

Bëhu ndryshimi!