Lajme

Abbott: Qeveria e Kosovës të dëgjojë me kujdes shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për procesin e Vettingut

12/03/2021 18:43
nga:M K

Sistemi i vettingut, si proces delikat, kërkon maturi për t’u zbatuar me sukses, thotë ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të dëgjojë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë me kujdes në lidhje me këtë proces.

Abbott ndër tema të tjera ka folur edhe për vettingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ambasadori Abbott tha se për shkak se si proces, vettingu është delikat, ata kanë inkurajuar Qeverinë e Kosovës të konsultohet me Komisionin e Pavarur të Venecias dhe të dëgjojnë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë me kujdes.

“Por në çdo vend ku është vendosur një sistem i tillë vettingu, është gjithmonë një proces delikat që kërkon maturi për t’u zbatuar me sukses. Për këtë arsye, ne kemi inkurajuar qeverinë që të konsultohet me Komisionin e pavarur të Venecias për këtë, dhe të dëgjojnë me kujdes shqetësimet e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë”, theksoi Abbott.

Siç thotë Abbott, një kohë të gjatë kanë punar me gjyqësorin e Qeverinë për të kryer një rishikim funkdional të sistemit të drejtësisë dhe janë të kënaqur të shohin se ky process po përparon.

“Ne kemi mbështetur përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë për disa kohë. Ne kemi punuar me gjyqësorin dhe qeverinë për të kryer një rishikim funksional të të gjithë sistemit të drejtësisë, si dhe punën e tij për vlerësimin e opsioneve për zbatimin e një procesi vettingu për gjyqësorin. Kështu që jam i kënaqur të shoh përparim”, është shprehur ai për Telegrafin.

Nicholas Abbott në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për marrëdhëniet Kosovë – Mbretëri e Bashkuar, marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës e Serbisë e tema tjera.