Lajme

Abazoviq pas takimit me Bashën: Të bëjmë gjëra konkrete për të mirën e popujve

07/16/2021 18:27
nga:M K

“Të bëjmë gjëra konkrete, mos të merremi me punë koti”.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas takimit me kreun demokrat Lulzim Basha gjatë vizitës në Tiranë ku u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta.

“Jam shumë krenar që jam zyrtari i parë i qeverisë së re që vij në vizitë zyrtare në Tiranë, por absolutisht kam patur qejf që të takoj çdo subjekt politik i cili ka të bëjë me atë çka duhet me qenë ndryshimi i Shqipërisë në të ardhmen dhe lideri i opozitës sot më ka mirëpritur në selinë e Partisë Demokratike. Ne kemi biseduar gjera konkrete sfida të cilat i kemi patur në Malin e Zi para se të vinte ky ndryshim, sfida të cilat janë pak a shumë të njëjta. Duhet më tepër të përshtatemi normave Europiane, të jemi të sigurt që atë që promovojmë duam dhe ta realizojmë në të vërtetë. Mos të jemi në disfavor në mënyrë se një anë promovojmë vlera universale dhe në anën tjetër promovuam vlera ballkanike”.

Nga demokracia, politikat rajonale, objektivat e përbashkëta Shqipëri-Mal i Zi, zhvillimi ekonomik i vendeve dhe integrimi europian i dy vendeve ishin temat ku ku përqëndrua biseda mes liderit demokrat Basha dhe zv.kryeministrit malazez Abazoviç.

“Interesi i Partisë Demokratike dhe i imi personal për fqinjin tonë verior e në veçanti për bashkëkombasit tanë në Malin e Zi, ka qenë dhe mbetet permanent dhe gjatë bisedës së sotme konstatova me kënaqësinë më të madhe se përkushtimi i zëvëndës kryeministrit Abazoviç tashmë bën diferencën e dëshiruar prej dekadash nga shqiptarët aty dhe në tërësi nga qytetarët e Malit të zi, por edhe nga Partia Demokratike qoftë në qeverisje apo në opozitë. Temat tona të diskutimit natyrisht kanë variuar nga demokracia tek politikat rajonale dhe tek objektivat që na përbashkojnë, zhvillimi ekonomik i vendeve dhe i popujve tanë dhe integrimi europian i dy vendeve tona pas përmbylljes me sukses të sfidës së Malit të Zi për t’u anëtarësuar në NATO si anëtari më i ri, natyrisht edhe me mbështetjen e Shqipërisë”, tha Basha, ndërsa vlerësoi zëvendës ryeministrin e Malit të Zi si një etalon i guximit për të modernizuar dhe vënë në funksion të qytetarëve politikën si një instrument ndryshimi.

Nga ana e tij Abazoviq ftoi liderët shqiptarë – presidentin, kryeministrin dhe kreun e opozitës – që të vizitojnë Malin e Zi për të punuar së bashku në të mirë të dy popujve.

“Unë e kam ftuar edhe zotin Basha, por gjithashtu edhe kryeministrin edhe presidentin që sa më parë të vizitojnë Malin e Zi. Çdokush është i mirëpritur, mendoj se sezoni turistik është nis shumë suksesshëm edhe në Shqipëri edhe në Mal të Zi, e cila është një mënyrë të ulim tensionet edhe gjithë së bashku dhe të punojmë për të mirën e popujve qoftë të Shqipërisë, qoftë të Malit të Zi”./ A2 CNN