Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, po qëndron për vizitë në SHBA, ku është takuar me kongresistin amerikan, Jim Costa.
Përmes postimit në Facebook, Abazi ka thënë se biseda me Costan ishte e fokusuar në marrëdhëniet dhe partneritetin strategjik SHBA- Kosovë, dialogun Kosovë- Serbi, luftën e Rusisë në Ukrainë dhe domosdoshmërinë të qëndruarit të unifikuar e fitores së Ukrainës dhe botës perendimore kundër Putin.
Ai më tutje shtoi se më shumë se një orë me kongresistin amerikan ka diskutuar nevojën për të parë qartazi rrjedhën e procesit të dialogut dhe ndikimin direkt për proceset integruese Euro- Atlantike për Kosovën.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i mungesës së vullnetit të Serbisë për të respektuar fqinjët dhe mosheqjes dorë nga instrumentalizimi i minoritetit Serb kudo në rajon për të arritur objektivat e dominances në rajon dhe të qenurit dorë e zgjatur e Rusisë në rajonin e Ballkanit.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe formimi sipas kërkesës së Serbisë do të thellonte tutje hendekun dhe problematizonte rolin e minoritetit Serb në Kosove si instrument politik e relegjioz i Begradit e që është në kundërshtim me funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Andaj SHBA duhet që të ndihmojnë vendin tonë për të dalur nga kurthi ku është futur. Nuk mund të lejohet që Serbia e pa reformuar të jetë faktor bllokues i procesit të integrimit Evropian të rajonit”, ka shkruar Abazi.
Abazi më tutje ka shtuar se Kosova është rasti më i sukseshëm në historinë moderne të intervenimeve të shteteve demokratike.
“Do ishte mëkat dhe humbje shumë e madhe për botën demokratike sidomos tani kur e gjithë Evropa po ballafaqohet me pasojat e agresionit Rus në Ukraine, që Kosova të lihet peng i një procesi të cilin e ka sabotuar Serbia që të blejë kohe dhe të mos përmbushë obligimet ndërkombëtare”, theksoi ai.


