Lajme

Abazi: Pranimi i fajit duhet të jetë virtyt për politikën e Kosovës, e jo tentim për të manipuluar opinionin

03/16/2023 21:10
nga:Astrit Gashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se pranimi i fajit duhet të jetë një virtyt i përfshirë në politikën e Kosovës dhe jo një tentim i vazhdueshëm për të manipuluar opinionin publik.

I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Abazi ka thënë se duhet që niveli i sinqeritetit të rritet lidhur me gjendjen e deritanishme të Kosovës në spektrin politik.

“Duhet të rritet niveli i sinqeritetit në komunikim për atë se ku jemi dhe pse kemi arritur deri këtu. Pranimi i fajit duhet të jetë virtyt në politikën e Kosovës jo tentim për të manipuluar me opinionin në mënyrë konstante sepse ajo formë e komunikimit dhe forma e vendimmarrjes që është bërë në të kaluarën, qoftë për fusnotën, qoftë për formimin e Asociacionit apo për një demarkacion që është bërë lëmsh në të gjitha anët e ka sjellë edhe nivelin e besueshmerinë dhe mundësinë për të konkretizuar procese, e ka sjellë në një nivel jashtëzakonisht jo të mirë”, ka deklaruar ai.

Një organizatë e mirënjohur për matjen e opinionit publik ka kryer një matje në raport me çështje të ndryshme me mbi një mijë të intervistuar, që kryesisht lidhen me dialogun Kosovë – Serbi specifikisht Asociacionin. Margjina e gabimit të këtij sondazhi është 3%.

Abazi ka komentuar atë duke thënë se rezultatet nuk mund të priteshin ndryshe duke pasur parasysh diskursin e narratives politike mbi të cilin është ndërtuar ajo.

“Mendoj që rezultati i sondazheve është rezultat i narratives politike, i diskursit që është ndërtu. Nuk mund të pritet diçka tjetër në sondazh përderisa kemi një qartësi të madhe sa i përket koncensuzit politik për çështjen e Zajednicës e Asociacionit dhe në të njëjtën kohë, që nga 27 shkurti kemi një msopranim të një realiteti politik në të cilin jemi duke manovruar si shoqni, edhe si qytetar edhe si politik”, ka deklaruar ai.