Lajme

Abazi për moscertifikimin e Listës Serbe: Është gropa që Kurti po ia bën vetes dhe bashkësisë ndërkombëtare

12/04/2025 09:43
nga:Y I

Moscertikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të 2025-tës, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi po e konsideron një taktikë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se edhe vet kryeministri në detyrë Albin Kurti e di që nuk ka bazë ligjore për ta ndaluar certifikimin e kësaj liste.

Abazi ka thënë se në këtë mënyrë Kurti po ia bën gropën vetës por edhe Kosovës në arenën ndërkombëtare, marrë shkas këtu edhe reagimet e ambasadorëve, për të cilat ka heshtur LVV.

“Tani, si taktikë e Lëvizjes Vetëvendosje, kjo është e njohur; nuk është gjë e re që është krijuar aty. Ju e patë edhe reagimin e ambasadës së SHBA-së, edhe të ambasadës së Britanisë. Unë nuk e kuptoj fare pse është duke e thelluar gropën në të cilën ka hyrë Kurti nëpërmjet këtyre taktikave, sikur të ishte një taktikë krejtësisht populiste-elektorale. Duhet ta konsiderojë popullin vërtetë naiv që të mos e kuptojë, por edhe populli e ka kuptuar se nuk bëhen këto shantazhe ndaj institucioneve të shtetit. Nuk është më çështja ndaj Listës Serbe – gjithë Kosova e di kush është Lista Serbe por, në anën tjetër, ne jemi një shtet që duhet të veprojë sipas ligjit dhe vendimeve ligjore. Deri më tani nuk ka bazë ligjore mbi të cilën mund të thirret çfarëdo lloj ndalese e Listës Serbe, por e dimë që ajo do të certifikohet në instanca të tjera, sikurse ka ndodhur edhe herën e kaluar. Është një gropim i vetvetes që po ia bën Kurti vetes dhe bashkësisë ndërkombëtare por edhe para votuesve të vendit, sepse po i konsideron naivë dhe sikur nuk e kuptojnë realitetin që jemi duke e jetuar. Mendoj që këto veprime të Kurtit janë arsyeja pse ai është zvogëluar dhe do të shkojë drejt zvogëlimit edhe më tutje, sepse partitë tjera kanë treguar sinqeritet duke abstenuar, por në fakt e kuptojnë drejt se veprimi sipas ligjit është mënyra për të ndërtuar një shtet serioz para partnerëve ndërkombëtarë”, tha Abazi.

Abazi tha se LVV e kishte shansin për ta krijuar mundësinë ligjore që Lista Serbe mos të certifikohet.

“Sipas meje duhet të zbatohet ligji. Cilido subjekt politik që i plotëson kriteret sipas ligjit dhe Kushtetutës së Republikës ka të drejtë të marrë pjesë në garën zgjedhore. Dhe nëse ka problem, atëherë ligji duhet të veprojë. Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur shansin të ngrejë aktakuza për veprat që pretendojnë se anëtarët e Listës Serbe kanë kryer, për të arritur deri te një përfundim ligjor. Por partitë politike nuk mund ta bëjnë as ligjin e as gjykatën – kjo është një përzierje e kompetencave dhe shkelje e ndarjes së pushteteve. Nuk ka përgjigje më të qartë sesa ligji dhe zbatimi i plotë i tij ndaj të gjitha subjekteve politike”, shtoi Abazi.