Lajme

Abazaj: Me Ligjin e ri për Tatimin në Pronë, çdo komune i bien të hyrat vetanake për 40%

08/23/2023 18:22
nga:G B

Drejtori i Kolegjiumit të Drejtorive të Financave, Jeton Abazaj, i ka komentuar deklaratat e Asociacionit të Komunave të Kosovës, se këta të fundit do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.

Abazj tha se Asociacioni e ka kundërshtuar prej ditës së parë, siç e quajti ai, lojën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, teksa shtoi se janë duke u mbledhur shënimet në të gjitha komunat se sa afektohen të hyrat vetanake.

“Në bazë të shënimeve që i posedojmë deri sot, çdo komunë afektohen rreth 40% e të hyrave vetanake, apo te rasti i Pejës më konkret, neve na bie që rreth 2.4 milionë euro të minusohen me rastin e aplikimit të këtij ligji dhe votimit të tij edhe në asamblenë komunale”, tha Abazaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai paralajmëroi se Ligji për Tatimin në Pronë do të dërgohet në Kushtetuese më së largu brenda dy ditëve.

“Draftin të cilin e kanë hartuar komunat bashkë me stafin e Muratit, ky s’e ka marrë hic parasysh. Qarkoren e dytë buxhetore që e kemi marrë para 10 ditëve, Murati s’e ka paraparë fare ndikimin e këtij ligji në të hyrat vetanake. Prandaj, Asociacioni besoj brenda dy ditëve do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese këtë ligj”, tha ai.