Me 18 gusht Brukseli do t’i bëjë bashkë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Të dy do të takohen në kuadër të dialogut, me ndërmjetësim të BE-së.
Takimi u caktua pas zhvillimeve të 31 korrikut në veri të vendit, ku serbët vendosën barrikada, në kundërshtim të masave të reciprocitetit që do të zbatoheshin nga 1 gushti.
Vendimi është shtyrë për një muaj, ndërsa nga Qeveria kanë thënë se në takimin me Vuçiq nuk do ta diskutojnë çështjen e reciprocitetit.
Lidhur me këtë takim dhe temat e diskutimit, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë për Gazeta Blic se reciprociteti nuk ka nevojë të diskutohet pasi është e drejtë legjitime e Kosovës.

“Reciprociteti është e drejtë legjitime dhe as që ka nevojë të diskutohet kjo çështje në këto takime. Qeveria e Kosovës duhet ta përmbushë synimin e saj për reciprocitet në datën që ka premtuar, pavarësisht dështimit për ta bërë këtë më 1 gusht”, thotë Lekaj.
Ai për Gazeta Blic potencon se AAK kërkon që dialogu të zhvillohet nën udhëheqjen e SHBA-ve, për njohje reciproke.
“Sa i përket dialogut, ka kohë që kemi kërkuar nga Qeveria që ky dialog të mos kthehet në formën ku diskutohet për çështje teknike por për marrëveshjen finale me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e ShBA-së”, deklaron deputeti Pal Lekaj./Gazeta Blic/


