Lajme

AAK nuk do që të shtyhen zgjedhjet, por vetëm të shkurtohet fushata

09/07/2021 19:28
nga:Q R

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, deklaroi për Klan Kosova se qëndrimi parimor i subjektit politik që ai përfaqëson është që zgjedhjet lokale të mbahen brenda afatit ligjor, por me një afat të shkurtuar të kampanjës zgjedhore prej pesë ditësh.

Dreshaj, i cili njëkohësisht me profesion është infektolog, tha se situata aktuale në të cilën gjendemi nuk është aspak e lakmueshme, por që procesi zgjedhor duhet të bëhet duke i respektuar masat e përcaktuara.

“Nuk janë zgjedhjet e para që mbahen në Kosovë. Kemi raste që janë organizuar gjatë pandemisë, si në SHBA dhe BE, dhe asnjëri prej tyre nuk e kanë bërë ftesën për zgjedhje të mëvonshme, por është kërkuar të respektohen masat parandaluese, të kemi kujdes në përhapjen e virusit dhe masat për kujdes individual dhe kolektiv”.

“Kampanja zgjedhore mund të organizohet në forma të ndryshme dhe jo vetëm me kontakt fizik. Masat e rekomanduara janë që të parandalohet më e keqja. Për kontakte fizike, secili subjekt politik e kandidat për asamble e di se duhet t’i respektojë masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”.

“Pandemia nuk do të duhet të ishte subjekt që të ndërpriten ose shtyhen zgjedhjet sepse s’dihet sa do të zgjasë kjo situatë. Po na bëhen gati dy vjet pandemi dhe s’e dimë se kur do të jetë afati i përshtatshëm për zgjedhjet. Secili subjekt politik duhet të ketë guxim për organizmin e një kampanje të ndershme me respektimi e masave parandaluese”, deklaroi Dreshaj.

Memli Krasniqi: Një javë nga letra që ia dërgova Kurtit, atij s’po i bëhet vonë për situatën!