Lajme

AAK në Pejë akuzon Muhaxherin për tregti me pronat komunale

12/30/2024 15:52
nga:G B

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal Pejë për vitin 2024, shefi i asamblistëve të AAK-së, Labinot Panxha, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me këmbimin e pronave komunale nga Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke e cilësuar këtë veprim si tregti të paligjshme që dëmton interesin publik.

Në reagimin e tij, Panxha theksoi se ngritja e këtyre shqetësimeve është kundërshtuar ashpër nga Kryetari Muhaxheri, i cili, sipas tij, ka ushtruar presion ndaj Kryesuesit të Kuvendit për t’ia ndërprerë fjalën në mënyrë të jashtëligjshme.

“Ky veprim synon të heshtë zërin e së vërtetës dhe të fshehë pazaret me pronën komunale,” u shpreh ai, duke ftuar Prokurorinë e Shtetit që të nisë hetime të menjëhershme dhe të vërë para drejtësisë përgjegjësit.

“Prona publike është e qytetarëve dhe nuk mund të përdoret për përfitime të dyshimta,” përfundoi ai.