Lajme

AAK në Junik akuzon kryetarin Ruzhdi Shehu për shkelje ligjore dhe pengim të fushatës zgjedhore

09/18/2025 20:49
nga:Genita C

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Junik, ka ngritur akuza serioze ndaj kryetarit aktual të komunës, Ruzhdi Shehu, dhe djalit të tij Visar Shehu, drejtor i Prokurimit Publik në Komunën e Prishtinës, për shkelje të rënda ligjore dhe pengim të fushatës së AAK-së, raporton GazetaBlic.

Sipas njoftimit, kompania “Selmans Network”, e kontraktuar për vendosjen e materialeve zgjedhore, është kërcënuar me rrëzim të billbordëve nëse bashkëpunon me AAK-në, ndërsa është paralajmëruar edhe ndërprerja e kontratave të saj në Prishtinë.

AAK e cilëson këtë si shantazh dhe abuzim me pozitën zyrtare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga KQZ dhe organet përkatëse për të garantuar barazi në garën zgjedhore.

“Demokracia fiton vetëm kur garojmë të barabartë dhe qytetarët vendosin lirshëm, pa presion,” thuhet në reagimin e partisë.