Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e prerë ndaj zgjedhjes jo legjitime të kryetarit të ri të Këshillit të Pavarur të Mediave, një veprim që shënon një tentativë të hapur të regjimit Kurti për të kapur institucionet e pavarura të mediave, thuhet në reagimin e lëshuar për media nga AAK.
Kjo lëvizje e orkestruar, sipas AAK përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe pluralizmit të informacionit në Kosovë.
“Ndërhyrja kaq e ashpër e pushtetit në një institucion të pavarur, pikërisht në vlugun e fushatës elektorale, s’ka si të kuptohet ndryshe përpos si përpjekje për kontroll të mediave për qëllime elektorale”, thuhet tutje në njoftim.
“Çdo përpjekje për të politizuar dhe kontrolluar institucionet e pavarura të mediave do të përballet me reagimin tonë të vendosur. Liria e mediave është themeli i demokracisë sonë dhe nuk do të lejojmë që ajo të bëhet pre e ambicieve autokratike të regjimit aktual”.
“AAK do të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të paligjshëm dhe për të mbrojtur pavarësinë e mediave në Kosovë”, përfundon reagimi i AAK.