Lajme

AAK e shqetësuar për mosliberalizim, Tahiri: S’mjafton që Lajçak të ndjejë keqardhje

06/27/2022 11:24
nga:G B

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh me shqetësim qasjen siç kanë thënë, injoruese të BE-së ndaj Kosovës ndaj kërkesës për liberalizim të vizave.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për medie të hënën, ka thënë se kushtet për këtë proces ka vite që janë përmbushur,

Tahiri ka paralajmëruar debat parlamentar ku do të kërkojnë votimin e një rezolutë për këtë temë.

“Kushtet për këtë proces ka vite që janë përmbushur, madje Komisioni Evropian edhe vite më parë pati propozuar heqjen e regjimit të vizave, duke konfirmuar që Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit të vizave. Tani, në këto kushte, shtrojmë një pyetje legjitime për vendet anëtare të BE-së: A është kjo politike sanksionuese që po i bëhet Kosovës apo jemi peng i politikës së brendshme të vendeve anëtare. Gjithashtu, agjenda pro ruse e shtyrë nga Beogradi zyrtar po e penalizon Kosovën në proceset integruese dhe në veçanti në liberalizim. Mos reagimi i Qeverisë së Kosovës dhe mungesa e kundërshtimit ndaj neglizhencës që po i bëhet Kosovës në këtë proces, është zhgënjyese”, ka thënë Tahiri.

“Ne si AAK, do të inicojmë një debat parlamentar ku edhe do të kërkojmë mbështetjen e partive tjera parlamentare votimin e një rezolute në lidhje me këtë temë. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk lëvizë lirshëm ndërkaq gjithmonë është ndër vendet më transparente në rajon sa i përket harmonizimit me qëndrimet e BE-së, si në kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe mbi të gjitha pjesë e reformave”, ka thënë në fund Tahiri.