Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë dhe Presidenten për Ligjin e Pagave të sektorit publik, raporton GazetaBlic.
Në një konferencë për medie, Tahiri thotë se po vazhdon të mbahet sekret vlera e koeficientit dhe sipas tij një gjë e tillë është e papranueshme.
“Kaloi edhe një javë edhe një mbledhje e Qeverisë, pasi Ligji i Pagave është nënshkruar nga Presidentja e vendit dhe ende vazhdon të trajtohet në mënyrë më të fshehtë, sekrete vlera e koeficientit.Është e papranueshme që 80 mijë sherbyes të këtij vendi janë në ethe dhe të mos e dinë pagën e tyre, duke e ditë se ekziston një ligj”, tha Tahiri.
Tahiri thotë se vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, ndryshe sipas tij do të ketë rënie drastike të pagave
“AAK-ja e ka një porosi për kryeministrin dhe Qeverinë. Në mënyrë që ky ligj të shpëtohet, atëherë vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro. Kjo në mënyrë që mos të ketë rënie drastike të pagave”, tha Tahiri.
Tahiri tha se kontestimin e këtij ligji kanë mundur ta bëjnë vetë me nënshkrime, mirëpo, sipas tij, arsyeja e vetme pse s’e kanë bërë këtë, lidhet me faktin se nuk e kanë ditur vlerën e koeficientit.
“Qëllimi i AAK-së nuk është ta rrëzojë ligjin, sepse është shumë i vështirë ta bësh, mirëpo konsultimi për këtë ligj kurrë nuk ka qenë më i dobët”, ka vazhduar ai.
/GazetaBlic/


