Lajme

AAK insiston në marrëveshje finale, Haradinaj tregon ku dështoi Qeveria Kurti

02/08/2023 18:30
nga:G C

AAK-ja ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku kanë folur për zhvillimet politike në vend, raporton GazetaBlic.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për përmbajtjen e vizitës së tij të fundit në SHBA dhe takimet që zhvilloi atje.

Haradinaj thotë se, Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie e cila do e vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston në marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, shkroi tutje Haradinaj.

Shkrimi i plotë:

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së AAK-së, diskutuam për zhvillimet politike në vend.

Gjithashtu, kolegët i informova për përmbajtjen e vizitës sime në ShBA, përfshirë takimet në Departamentin e Shtetit, Senat dhe Kongres, e po ashtu edhe me përfaqësues të institucioneve tjera amerikane.

Ishte dakordim i përbashkët që zhvillimet politike në vend janë në momentet më vendimtare për shtetin tonë. Qeveria Kurti ka dështuar në ndërtimin e një strategjie e cila do e vendoste Kosovën në pozitë të favorshme në raport me Serbinë. Moskoordinimi me aleatët tanë, veçmas me Amerikën, ka rrezikuar interesin nacional dhe gjitha të arriturat e deritanishme të shtetit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston në marrëveshjen përfundimtare për njohje të ndërsjellë me Serbinë.