Lajme

AAK e quan ministrin Peci mashtrues ordiner: Aleanca është në shtëpi të vet

03/15/2024 15:29
nga:Sh R

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka demantuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, i cili tha se iu rikthyen mbi 600 metra katrorë Ministrisë që ai e drejton.

Përmes një reagimi në Facebook, AAK ka shkruar se i paguan qira Ministrisë së Bujqësisë, për dy kate të këtij objekti derisa ka thënë se përshkrimi se “i rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullait” nga ana e Pecit, lënë të kuptohet se ato hapësira kanë qenë të uzurpuara.

“AAK ka kontratë me Ministrinë e Bujqësisë për një pjesë të objektit. Ne paguajmë qira mujore për shfrytëzimin e 569 metra katrorë, në katin përdhesë dhe të parë në vlerë prej 4552 eurosh në muaj, ku nuk përfshihet as bodrumi e as kati i dytë, që janë të mbyllura e të lëna në gjendje të mjerueshme.

Pohimet e këtij far ministrit se gjoja “I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit…”, janë pjesë e manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AAK-së.

Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është hera e parë që Peci bënë manipulime të kësaj natyre me qëllim që ta luftojë politikisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ne jemi përpjekur që të jemi të kujdesshëm e të mos hapim debat publik dhe marrëdhëniet kontraktuale t’i kryejmë siç bëjnë subjektet e përgjegjshme, e të pranojmë të paguajmë një qira që është mbi vlerën e tregut, për një objekt që e ka renovuar Aleanca me mjete të veta, por këtë herë nuk mund mos të themi se Faton Peci është një manipulues ordiner.

Aleanca është në shtëpi të vet dhe aty do të qëndrojë pavarësisht a i pëlqen dikujt apo jo.

Me qëllimin më të mirë që mediat dhe qytetarët të mos bijnë pre e këtyre mashtrimeve, po i publikojmë disa fotografi të hapësirës së pretenduar se i qenka rikthyer ministrisë si dhe kopjen e kontratës së qirasë për shfrytëzim”, thuhet në reagimin e AAK-së në Facebook.