Lajme

Asociacioni, Kadrijaj flet për qëndrimin e AAK-së: Qeveria nuk është luks, Kurti t’i mbaj premtimet që iu dha qytetarëve

02/02/2023 14:06
nga:G C

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur për çështjen e Asociacionit ku sipas saj Qeveria duhet të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet.

Në një intervistë për GazetaBlic, Kadrijaj thotë se Asociacioni duhet të pranohet sepse siç e cek, vendet ndërkombëtare kanë thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Qeveria nuk duhet t’i ik përgjegjësive, e ka marrë besimin e qytetarëve për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet sepse Qeveria nuk është luks, por është edhe përgjegjësi”, tha Kadrijaj.

“Z.Kurti ka ardhë me premtime të mëdha dhe duhet t’i mbaj, nëse kemi garancë nga vendet mike se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, atëherë duhet të pranohet. Këto kanë qenë qëllimet tona, kur është votuar kjo marrëveshje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese që kjo e fundit i ka dhënë vërejtjet e veta”, shtoi Kadrijaj.

Kadrijaj theksoi se qëndrimi i AAK-së në lidhje me këtë çështje, është se Asociacioni duhet të jetë në frymën e Gjykatës Kushtetuese, teksa bëri thirrje që Qeveria Kurti duhet të bisedojë me partitë politike, shoqëritë civile dhe miqtë ndërkombëtar.

“Qëndrimi i AAK-së është se Asociacioni duhet të jetë në frymën e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria duhet të ulet dhe të diskutojë që draft-statuti që po qarkullon, bashkë me shoqërinë civile, partitë politike, miqtë tanë ndërkombëtar të harmonizohen dhe të garantojnë që është në frymën Kushtetuese”, tha Kadrijaj për GazetaBlic.

Kujtojmë se, kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ka dhënë gjashtë pika si kushte për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).