Lajme

Arrestohen dy të dyshuar se përmes TikTok-ut mashtronin qytetarët për shitje të parave të falsifikuara

08/09/2023 11:35
nga:N M

Policia e Kosovës (PK) njofton se janë arrestuar F.S (31-vjeç) dhe A.S (28-vjeç), nën dyshimin se përmes rrjetit social TikTok mashtronin qytetarët për shitje të parave të falsifikuara.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se fillimisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE) ka ndërmarrë veprime hetimore disamujore për zbulimin e të dyshuarve, ku përmes rrjetit social “Tik Tok” kanë qarkulluar video se të njëjtit bëjnë shitjen e parave të falsifikuara.

“Gjatë punës operativo – hetimore janë siguruar prova se të dyshuarit F.S. (1992), mashkull kosovar si dhe A.S. (1995), mashkull kosovar, janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona, kinse do t’u shesin para të falsifikuara, mirëpo në anën tjetër i kanë mashtruar këta persona duke përfituar nga ta shuma të konsiderueshme të mjeteve materiale”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se arrestimi i të dyshuarve është bërë mëngjesin e sotëm, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan.

“Sot, me datën 09.08.2023, është zbatuar Plani Operativ përkatës ku hetuesit e S.H.K.E, në orët e mëngjesit kanë realizuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, për kontrollimin e shtëpisë së personit të dyshuar F.S. dhe njëkohësisht i dyshuari është arrestuar. Gjithashtu është arrestuar edhe personi i dyshuar A.S. për të cilin janë siguruar prova se ka bashkëpunuar me personin tjetër F.S”, thuhet tutje.

Bëhet e ditur se me aktvendim të prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Gjilan, është iniciuar rasti “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së dhe dy të dyshuarit e lartcekur dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Arrestohet i dyshuari për vrasje në tentativë