Lajme

Abdixhiku kujton viktimat e 11 shtatorit: Kosova do të mbetët gjithmonë krah për krah me ShBA-të

09/11/2024 11:11
nga:Genita C

Lumir Abdixhiku ka kujtuar viktimat e sulmit të 11 shtatorit, raporton GazetaBlic.

Kreu i LDK-së thotë se kjo tragjedi nuk ishte veç një akt dhune, por një sulm mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike anembanë botës.

“Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur lirinë, paqen dhe demokracinë si vlera të përbashkëta të dy popujve tanë!”, tha tutje Abdixhiku.

Mesazhi i plotë:

“Sulmi mbi Kullat Binjake në Neë York, në mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001 i cili mori jetën e rreth 3000 njerëzve të pafajshëm, tmerroi botën. Kjo tragjedi, nuk ishte thjesht një akt dhune, por një sulm mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike anembanë botës.

Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por edhe gjithë botën perëndimore; ishte sulm mbi vlerat demokratike perëndimore.

Sot, kur kanë kaluar mbi dy dekada nga momenti i ndodhjes së këtij akti të shëmtuar, kujtojmë dhe solidarizohemi me familjarët e viktimave të 11 shtatorit, të cilët humbën jetën pafajësish nga mania radikale e një sulmi terrorist.

Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur lirinë, paqen dhe demokracinë si vlera të përbashkëta të dy popujve tanë!”