Lajme

Abazi: Nuk kisha dashur asnjë sekondë t’i takojë LVV-së

10/10/2024 12:37
nga:G C

Deputeti i pavarur, Haki Abazi deklaroi se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka prishur punë me deputetët e kësaj partie për të kërkuar vota nga Lista Serbe.

Në seancë plenare ku është kërkuar nga PDK debat parlamentar pas publikimit të audio-incizimeve mes Mimoza Kusari Lilës dhe Milan Radojiçiqit, Abazi tha se deputetët e partisë në pushtet nuk kanë fytyrë të kërkojnë vota.

“Nuk e di a më ka ndejt më mirë ndonjëherë përshkrimi-mbiemri i pavarur. Nuk kisha dashur për asnjë sekondë t’i takojë një grupit parlamentar si që është ky (Lëvizja Vetëvendosje), për të cilin kam thënë para dy viteve që janë pazaret e pista për të hapur pompat të benzinës për të futur familjarë në punë, për të futur njerëz të afërt nëpër Gjykata Kushtetuese, për t’i bërë anëtarë të bordeve e të drejtorëve për interesa të vogla të cilat LVV ka kritikuar pushtetet e kaluara”, deklaroi Abazi.