Lajme

A janë pajisur me libra të gjithë nxënësit?! Flasin nga Komuna e Malishevës dhe e Podujevës

09/01/2023 16:19
nga:N K

Sot ka filluar viti i ri shkollor, megjithëse një pjesë e madhe e teksteve mësimore nuk janë siguruar nga prindërit, për shkak të vendimit të Qeverisë që librat të blihen nga prindërit. Lidhur me këtë për Gazeta Blic ka folur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi dhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu.

Drejtoresha Krasniqi ka thënë se gjendja me libra nuk është fare e mirë dhe ju kërkon falje të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve të cilët gjenden në këtë situatë.

“Si drejtori komunale, të gjitha përgatitjet i kemi bërë edhe mendoj jemi afër dhe jemi bashkë në rrugëtimin për të qenë një fillim i mbarë dhe i mirë për të gjithë. Në anën tjetër, lidhur me tekstet shkollore, e shfrytëzoj rastin që unë personalisht, të ju kërkoj falje të gjithë prindërve që janë duke u ballafaqu me një situatë të palakmueshme, dhe njëkohësisht t’ju kërkoj falje të gjithë atyre fëmijëve që sot kanë fillu vitin e parë në shkollë e janë pa tekste shkollore”, ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës shqetësim tjetër mbetet edhe pjesa e librave për klasat nga 5-9, ku ka thënë se shumë libra janë të dëmtuara nga vitet e kaluara si dhe mungojnë shumë prej tyre.

Tutje thotë se në këtë komunë ka mungesë të teksteve diku prej 12 mijë librave më pak.

“Në komunën e Malishevës përafërsisht kemi 12 mijë tekste më pak sepse janë dëmtu nga nxënësit që i kanë pas më herët dhe e dyta ka pas një lëvizje të numrit të fëmijëvë nëpër shkolla”, ka thënë Krasniqi.

“Në komunën e Malishevës procesi mësimor ka filluar duke qenë të hapura të gjitha shkollat, duke qenë afër drejtoria e Arsimit me kryetarin, por të dy bashkë sot jemi ballafaqu drejtëpërdrejtë me mësimdhënësit, të cilët kanë shpreh keqardhje për gjendjen jo të mirë me tekstet shkollore. Gjendja është tejet e keqe me tekstet shkollore”. tha Arbëreshë Krasniqi.

Lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor dhe temën e teksteve shkollore ka folur edhe Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës.

Sipas Fetahut gjendja me tekstet shkollore është më e mirë dhe këto probleme i vlerëson të tejkalueshme.

“Është parë që shumica e fëmijëve kanë ardh me libra, disa prej tyre kanë ardh për t’u informuar për ndonjë detaj të caktuar nga mësimdhënësit, mirpo në përgjithsi viti ka fillu mbarë dhe mirë në Komunën e Podujevës”, ka thënë drejtori i Arsimit.

“Ka pas hapësirë edhe më mirë me qenë siuata, mirëpo konsiderojmë që mirë ka filluar procesi. Me përqindje nuk mund të them por nga vizitat që i patëm sot një masë e konsiderueshme e nxënësve ishin me libra”, ka thënë tutje Fetahu.

Gjithashtu ka treguar se një shkollë në Podujevë ju ka ndihmuar prindërve që kanë pas problem në aplikimin për tekste shkollore.

“Ka qenë një fat i mirë që shkolla “Shaban Shala” në Podujevë e ka thënë një shembull të mirë, përmes zyrtarëve që ata profesorë dhe të IT-së, i kanë bërë një ndihmes për prindërit, dhe ata që kanë pas problem kanë shku dhe kanë apliku aty, sidomos edhe sot gjatë ditës kanë apliku disa që kanë hasur në vështirësi në aplikim”, ka thënë drejtori i Arsimit për Gazeta Blic.