Lajme

A u treguan të “mira” me Serbinë Qeveritë e kaluara të Kosovës?! Kjo është përgjigjja e Bekim Çollakut

10/29/2022 21:15
nga:Gazeta Blic

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe njëherit njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të ish- presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku është i ftuari i radhës në emisionin Blic Interview.

Çollaku ka folur edhe për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat nuk janë zbatuar në tërësi.

”Të gjitha këto elemente, duke përfshirë marrëveshjen e lëvizjes me letërnjoftime, por edhe marrëveshja e targave, janë derivat i marrëveshjes së përgjithshme për lirinë e lëvizjes. Dhe është e vërtetë që një pjesë e kësaj marrëveshje nuk janë zbatuar për më shumë se pesë vite. Dhe gjithmonë ka dalë një arsyetim racional që të mos zbatohen. Nuk është se ka pasur manipulim”, tha ai.

Çollaku ka theksuar se gjithmonë, të gjitha qeveritë e mëhershme kanë pasur vullnet për zbatimin e atyre marrëveshjeve në tërësi.

”Mirëpo, herë pas here ka pasur marrëveshje të natyrës teknike dhe ka pasur shpesh herë kërkesa specifike nga bashkësia ndërkombëtare, që të mos zbatohen këto marrëveshje që mos të krijohen tensione në veri”, thotë Çollaku, raporton Gazeta Blic.

I pyetur se a e kanë marrë me të mirë qeveritë e kaluara Serbinë, Çollaku thotë se “ata kanë dëgjuar këshillat e bashkësisë ndërkombëtare”

”Sa herë e kemi dëgjuar bashkësinë ndërkombëtare në këto procese, kemi dalë fitues, dhe është hapur një rrugë dhe mundësi që Kosova të avancoj në shtet ndërtim. Dhe sa herë që ne nuk kemi treguar vullnet që një cështje të vogël teknike ta zgjidhim dhe të mos mbesim peng i asaj çështje teknike, ne kemi ngecur. E njëjta situatë është me këtë qeveri. Kjo Qeveri mund të bëjë zhurmë të madhe për targat dhe të thotë se nuk do ta shtyej asnjë ditë afatin, por të jeni të bindur se do të ketë tensione të pamenaxhueshme në veri të vendit”, tha ai në emisionin “Blic Interview”.