Lajme

A ‘sheh’ VV rrezik nga Vjosa Osmani në zgjedhjet e ardhshme?

04/22/2026 19:05
nga:G B

Ish presidentja Vjosa Osmani po vazhdon vizitat me qytetarë nëpër komunat e Kosovës.

Ajo ka thënë se bashkë me ta do të vendosë si të veprojë në rrugën e saj politike.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se do të bashkojë LDK-në dhe se Osmani do të jetë pjesë e saj.

Por, a i frikësohet Vetëvendosje Vjosa Osmanit në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato do të mbahen?

Deputeti i kësaj partie, Mefail Bajqinovci, tha për Gazeta Blic se nuk shohin rrezik nga Osmani, teksa shtoi se është mirë të takohesh me qytetarët edhe kur je në pozitë e jo pas skadimit të mandatit.

Po ashtu, ai përsëriti se Osmani nuk e ka pasur përkrahjen e partive opozitare për presidente.

“Unë nuk e di që ka pasur mbështetje presidentja Osmani, për këtë mund të diskutoni me PDK e LDK nëse kanë qenë të gatshëm ta votojnë, ata s’kanë deklaruar se do t’ia japin nënshkrimet dhe do ta votojnë atë. Absolutisht jo, nuk shohim rrezik. Mirë është që të takohesh me qytetarë edhe kur je në pozitë e jo vetëm pasi të skadon mandati, është çështje e Osmanit që të takohet me qytetarë tani, nuk do ta komentoja daljen e saj nëpër publik sepse është punë dhe vendim i saj se si do t’ia bëjë a do të formojë parti politike apo do t’i bashkohet LDK-së. Unë e them me përgjegjësi që vendi duhet ta ketë presidentin dhe nuk duhet shkuar në zgjedhje”, ka deklaruar deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/