Derisa jemi në sezonin e verës, shumë çmime në shumë sektorë pësojnë rritje.
Se a pritet të ndodhë kjo edhe me çmimet e derivateve dhe sa janë çmimet e larta në Kosovë, për Gazeta Blic ka folur kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Ai thotë se aktualisht në vend çmimet përafërsisht sillen, nafta 1.28 centë deri në 1.38 centë, benzina 1.31 centë deri 1.39 centë, derisa këto janë që dy muaj të tilla.
Sipas tij, çmimi i naftës ka qenë stabil në brezat ndërkombëtarë.
Ai tregon si pritet të jetë çmimi në ditët në vijim.
“Çfarë çmimi do të kemi në ditët në vijim s’mund të paragjykojmë shkaku se mund të ketë lëvizje në tregjet ndërkombëtare dhe në berzë”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket mundësisë për rritje të çmimit të derivateve tani kur në Kosovë vijnë nga diaspora, Berjani thotë se ajo nuk e përcakton çmimin.
“Diaspora nuk e përcakton çmimin, por vetëm se e rrit qarkullimin si në sektorin e naftës, po ashtu edhe në markete. Diaspora ia jep një impuls ekonomisë kosovare. Lus diasporën, kërkoni apo merrni kuponin fiskal gjatë shërbimit”, thekson ai për Gazeta Blic.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve thotë se në Kosovë janë çmimet më të lira në rajon, përpos Maqedonisë së Veriut.
“Me çmime jemi më të lirët në regjion, përveç Maqedonis Veriore shkaku që e ka akcizën më të ulët”, shton ai.
Sipas Berjanit, çmimi real do të ishte nën 1 euro.
“Çmimi real për qytetarin tonë kishte me qenë 1 euro, por këtë e përcakton berëza dhe organizata prodhuese OPEK”, deklaron Fadil Berjani./Gazeta Blic/


