Lajme

A pritet që Lista Serbe t’i bojkotojë zgjedhjet e 9 shkurtit?

10/03/2024 18:16
nga:G C

Gazetari serb, Branislav Krstic mendon se bojkotimi nuk do të ndodhë, pavarësisht nëse organizohen ose jo zgjedhjet lokale në atë ditë.

“Mendoj se deklarata e Rashiqit ka për qëllim ekspozimin e synimit të pretenduar radikal të Listës Serbe dhe bojkotin e mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mendoj se bojkoti nuk do të ndodhë, pavarësisht nëse atë ditë do të organizohen apo jo zgjedhjet lokale”, shtoi ai.

Sipas gazetarit serb, bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e Listës Serbe do t’i shërbejë Vuçiqit.

“Mospranimi i mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri nga autoritetet në Prishtinë vetëm se do t’i shërbejë Vučićit për të akuzuar edhe një herë Kurtin para partnerëve ndërkombëtarë për diskriminim të komunitetit serb dhe për forcimin e shtetit policor dhe autoriteteve jolegjitime lokale në veri”, tha ai.

“Së fundi, ekziston edhe opsioni që kabineti Vučić është i vetëdijshëm se Lista Serbe e ka humbur dukshëm mbështetjen e qytetarëve në veri. Nuk duhet të përjashtojmë mundësinë që Vučić të jetë i vetëdijshëm se Lista Serbe nuk do t’i fitojë zgjedhjet lokale në veri dhe se bashkimi i zgjedhjeve republikane me ato lokale është shansi i fundit që Lista Serbe të fitojë zgjedhjet lokale në komunat e veriut”, përfundon Krstic për GazetaBlic.

Aleksander Jabllanoviq, politikan serb nga veriu i Kosovës, argumentoi se zgjedhjet janë mënyra e vetme dhe e drejtë për të krijuar një rrugë korrekte politike, duke shtuar se bojkotimi do të ishte i ngjashëm me veprimet njëanshme të qeverisë.

“Zgjedhjet janë mënyra e vetme dhe e drejtë për të krijuar një rrugë korrekte politike dhe bojkotimi i zgjedhjeve do të ishte i njëjtë me veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës. Besoj se kemi nevojë për ide të reja politike, një qasje ndryshe nga ajo aktuale dhe për këtë duhet të luftojmë në procesin zgjedhor”, tha ai për GazetaBlic.