Opinion

A po shndërrohen emigrimet e popullsisë në kërcenim të përgjithshëm për Kosovën

07/11/2022 18:28
nga:Sami Behrami

Shkruan: Sami Behrami

Kosova ndodhet në fillimet e krizës demografike e cila dita ditës po thellohet gjithnjë e më tepër ku kontribut të jashtëzakonshëm kanë emigrimet e popullsisë.
Kosova për dallim prej shumë vendeve evropiani ende karakterizohet me trendë pozitive të lindshmërisë dhe shtimit natyrorë të cilat në njëfarë mase e zbusin efektin negativ të emigrimeve të popullsisë. Megjithatë emigrimet në Kosovë kanë marr përmasa shqetësuese. Këtë më së miri e vërtetojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ku vetëm në vitin 2021 nga Kosova janë larguar 42.728 persona, që është për 4.3 here më i lartë se sa shtimi natyror. Pra shtimi natyror në katër vitet e ardhshme në Kosovë është konsumuar nga emigrimet e vitit 2021.

Emigrimet nga Kosova fatkeqësisht vazhduan me përmasa shqetësuese edhe pas luftës së vitit 1999. Kështu në periudhën 2000-2021, Kosovën e kanë braktisur 422.761 banorë(sipas statistikave te ASK), me mesatare prej mbi 20.000 banor brenda vitit. Kontingjenti i emigrantëve pa dyshim që është edhe më i madh kur dihet fakti i emigrimeve ilegale të kosovarëve dhe emigrimi me pasaporta te vendeve tjera.
Çështjet ekonomike që lidhen me papunësinë dhe varfërinë janë faktorët kryesor edhe shqetësimet kryesore të qytetarëve të Kosovës. Hulumtimet e fundit të opinionit tregojnë se këtë dy parametra ekonomik janë edhe kërcënime të sigurisë kombëtare me të cilat përballet Kosova. Sipas këtyre të dhënave rreth 70 % e të anketuarve besonin se shkalla e lartë e papunësisë është kërcënimi më i madh për Kosovën.
Edhe më shqetësues është fakti se bazuar në sondazhe të realizuara në vend, rreth 60% e të anketuarve kanë shprehur dëshirën të ikin nga Kosova kryesisht gjenerata të reja (20 deri në 40 vjet) te cilët përbejnë kontingjentin kryesor demografik dhe lindshmërisë, kontingjentin e punës, te sigurisë etj., duke shkaktuar rënie te “kapitalit human”, si bartësin kryesor të zhvillimit socio-ekonomik.

Emigrimi më tepër pozitiv apo negativ
Përfitimi nga emigracioni mundë të jenë të mëdha nëse ato përcillen me bashkëpunim dhe politika të mirëfillta me mërgatën, të cilat fatkeqësisht Kosovës i mungojnë, duke e kthyer emigrimin në proces shumë më tepër me efekte negative se sa pozitive.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shuma totale e dërgesave financiare / remitancave në Kosovë nga diaspora që nga shpallja e pavarësisë (2008) e deri në vitin 2021 është 9 miliardë e 874 milionë euro. Megjithëkëtë, ky potencial ende mbetet jo sa duhet i shfrytëzuar në aktivitetet produktive që do të kishin efekte zinxhirore ekonomike. Gjysma e remitencave në para të gatshme janë përdorur për konsum, 18% janë përdorur për ndërtimin e shtëpive dhe për riparime, 17% për qëllime shëndetësore, 15% për arsim dhe vetëm një pjesë modeste prej 3% , përdoret për investime, që tregon se vetëm një pjesë shumë e vogël e remitencave investohet në aktivitete prodhuese/ndërmarrëse.
Edhe pse struktura e shpenzimit të remitancave në Kosovë mbetet shumë e pa favorshme sa i përket zhvillimit ekonomik, ato luajnë rol të rëndësishëm në stabilitetin social duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e varfërisë.

Pasojat nga emigrimet
Në njëzet vitet e fundit, Kosova karakterizohet me emigrime masive sidomos të të rinjve me arsim të lartë por kohëve të fundit është shtuar emigracion jo vetëm si individë, por edhe familje të tëra. Të gjithë ata të rinj që emigrojnë, në shumicën e rasteve nuk largohen vetëm por me familje e shumë të tjerë krijojnë familje në vendin mikpritës duke ndikuar kështu ndjeshëm në pasqyrën demografike kosovare.
Pasojat e migrimit reflektohen në madhësinë e popullsisë, shkallën e lindjeve, shtimin natyror, strukturën popullsia (demografike, ekonomiko-sociale, etnike etj),- rritje të përqindjes së të moshuarve në popullsinë e përgjithshme etj.

Pasojat demografike- çështjet demografike janë të një rëndësie kyçe për zhvillimin e secilit të shtetit, sepse nuk është e mundur të arrihet zhvillim në kushte të pafavorshme demografike ku emigrimet luajnë rol të rëndësishëm.
Emigrimet ndikojnë në madhësinë e popullsisë duke shkaktuar humbjen e asaj pjese të popullsisë, e cila përbën potencial zhvillimi, nivelin e lindjeve (me rënie të lindjeve), rritjes natyrale së popullsisë dhe strukturat e popullsisë (demografike, ekonomike, sociale, etnike dhe të tjera) përcjell kjo me• shpopullim natyror, emigracionin e trurit (brain drain), plakjes të popullsisë etj.

Si pasoj e zvogëlimit të numrit të lindjeve nga 38.687 (2000) në 22.830 (2021), që nënkupton rënie për 15.857 lindje ose gat përgjysmim të lindjeve (-41 %) dhe rritjes së numrit të vdekjeve, shtimi natyror karakterizohet me tendin edhe me të shpejt të rënies se sa edhe lindshmëria. Kështu , në raport me vitin 2000 kur shtimi natyror ishte 34.296 persona ne vitin 2021 zvogëlohet ne 9811, që paraqet zvogëlim për 24.485 persona, ose për afër 3/4 ( -71.4%). Shtimi natyror në vitin 2021 është i përafërt me atë të gjysmës së dytë të viteve të ’30 të shekullit të kaluar.
Rënja shumë e shpejt e shtimit natyror dhe emigrimet selektive ( grup moshat 20-39 vjet përbëjnë afër gjysmën e emigrantëve) kanë përshpejtuar procesin e plakjes së popullsisë. Kështu, deri sa ne vitin 2011 grup moshat mbi 60 vjet përbënin 9.6% te popullsinë, ne vitin 2021 kjo pjesëmarrje rritet ne 13.3% . Në të njëjtën kohë grup moshat 0-19 vjet, kanë treguar tendencë te zvogëlimit të pjesëmarrjes nga 38.1% në 32.3%. Plakja e popullsisë përcillet me pasoja negative për zhvillimet demografike, ekonomike, sociale etj.

Pasojat socio- ekonomike- emigrimi i popullsisë të moshës së punës kanë pasoja jashtëzakonisht negative për ekonomitë prandaj kontrollimi (ngadalësimi ose edhe frenimi) i këtij procesi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për perspektivën ekonomike të vendit.
Emigrimi i popullsisë ka ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit përmes: rritjes së ulët e PBB-së për kok banori, ngadalësimi i rritjes ekonomike, humbjen e fuqisë punëtore, ulja e konkurrencës dhe ndikimi negativ në sistemin shoqëror dhe pensionet, emigrimin e personave të kualifikuar etj. Kosova me shkallë të papunësisë prej mbi 30% ( te grup moshat e reja papunësia arrin edhe deri në 50%), shkallë të varfrës rreth 20 %, standardin e ulët të jetesës, nivelin e ulët të pagave ( më të ulëtin edhe në rajon) parqet vend me potencial shumë të lartë të emigrimit. Numri i lart i emigrimeve tregon pasigurinë e tyre për të ardhmen në vendlindje.

Sipas ekspertëve te ekonomisë në periudhën pas luftës, Kosova ka pasur një rritje ekonomike e cila nuk mund të konsiderohet e qëndrueshme dhe e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale, siç janë papunësia dhe varfëria ndërsa motivi kryesor për të emigruar sidomos te të rinjtë është papunësia.

Pasojat sociale të emigrimit të të rinjve janë të dukshme nëpërmjet humbjes së kapitalit të investuar, d.m.th të rinjtë që shpërngulen marrin me vete investimet e mëparshme të shoqërisë dhe familjes në edukimi dhe arsimini e tyre. Shteti u siguron arsim, për nxënës të mirë jep bursa dhe mundëson zhvillimin profesional, por është një dukuri shumë e zakonshme që pikërisht raste të tilla, që i nevojiten më shumë shoqërisë, largohen dhe gjejnë punë më të mirë në shtete te tjera.
Pasojat në sistemin arsimor- edhe pse si pasoja më të rënda të krizës demografike llogariten pasojat në trendin e fuqisë punëtore – tregun e punës, sistemin e mbrojtjes sociale, sistemin shëndetësor etj., në realitet norma e ulët e lindshmërisë dhe emigrimeve në periudha afatgjate më së tepërmi godet kontingjentet e popullsisë të moshave shkollore.

Si pasoj e emigrimeve dhe rënjes drastike të shtimit natyror, në arsimin fillor dhe të mesëm te ulet ne periudhën 2007-2021, numri i nxënësve është zvogëluar për -95.880, nxënës ose për -29.4% Kosova në këtë periudhë ka humbur më tepër se ¼ e numrit të nxënësve. Kështu, Kosova ne vitin 2021 kishte 5047 paraleleve më pak se ne vitin 2007 (19 nxënës për paralele). Statistika edhe me shqetësuese janë ato te numrit te nxënësve te regjistruar ne klasën e pare ku rënia është edhe më e madhe.

Edhe pse ne arsimin e mesëm të lart ndikimi i zhvillimeve negative pritej te shfaqej me vone megjithatë nga viti shkollor 2011/2012 edhe ky nivel i shkollimit karakterizohet trendë të zvogëlimit të numrit të nxënësve. Kështu në raport me vitin 2012 numri i nxënësve në vitin 2021 është zvogëluar për më shumë se 35 mijë nxënës. Në raport me vitin 2012 në vitin 2020, Kosova kishte 1849 paralele më pak në arsimin e mesëm.
Vetëm në universitetet e Kosovës në këtë periudhë është shënuar rritje e numrit te studentëve edhe pse edhe në ketë nivel, në katër vitet e fundit janë shënuar trendë shqetësuese te zvogëlimit të numra të studentëve. Në pesë vitet e fundit (2017/2021) numri i studentëve është zvogëluar për rreth 30 mijë që është treguesi më i mirë për mungesën e perspektives dhe emigrimin masiv të të rinjve nga Kosova.
Vetëm në shtat vitet e fundit është konstatuar zvogëlim i numrit të nxënësve për: 16.1% në arsimin fillor dhe të mesëm te ulet, 11.2% në arsimin e mesëm të lart dhe 21.3% në fakultete ( në pesë vitet e fundit).

Pasojat për sigurinë e vendit- në shekullin XXI, koncepti i “sigurisë” është transformuar shumë dhe nuk barazohet vetëm me sigurinë ushtarake, por përfshin edhe lloje të tjera, të tilla si siguria demografike, ekonomike, ekologjike, politike dhe lloje të tjera të sigurisë. Pa siguri veprimtaria e njeriut është joefikas dhe nganjëherë e pakuptimtë.

Çështja e emigrimet e popullsisë nuk trajtohet më vetëm si humbje në sferën demografike dhe sociale, por gjithnjë e më tepër po trajtohen edhe në kontekstin e ndikimit në sigurinë lokale dhe atë globale. Viteve te fundit ne literature demografike gjithnjë e me tepër po gjene përdorim koncepti i “sigurisë demografike” i cili nënkupton rënien e popullsisë dhe lëvizjet negative demografike si çështje te sigurisë se përgjithshme, ku këto lëvizje mund te ndikojnë ne sigurinë kombëtare qoftë ne aspekt te fuqisë ushtarake, ekonomike etj., ne krahasim me grupet e caktuara brenda vendit ose edhe ne raport me vendet fqinje, prandaj në këtë konteksë për Kosovën emigrimit janë një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë sot.

Në fund, edhe pse emigrimet përmes remitancave dhe investimeve kanë efekte pozitive për ekonomin, efektet negative janë shumë më të mëdha për vendin. Nëse zhvillimit demografike (sidomos emigrimeve) nuk i kushtohet vëmendje e duhur me masa të menjëhershme përmes politikave të mirëfillta popullatave, atëherë nga dekada e tretë e shek. XXI, zhvillimit demografike dhe emigrimet do të shndërrohen në faktor kufizues për zhvillim në të gjitha sferat zhvillimore në Kosovë.
Perspektiva e zhvillimit të ardhshëm e bënë të domosdoshme ndërmarrjen e masave në drejtim të vënies nën kontroll të emigrimeve që ato të jen të rregullta, të sigurta dhe të përgjegjshme përmes politikave të planifikuara dhe mirë te menaxhuara me qellim që të mos shndërrohen në problem demografi socio- ekonomik dhe të sigurisë siç janë zhvillimet e tanishme në Kosovë

Emigracioni mund të konsiderohet ëndërr dhe zhgënjim njëkohësisht. Bazuar në trendët e gjertanishme zhvillimore në Kosovë ky fenomen do të vazhdojë të mbetet një plagë e shoqërisë kosovare, për aq kohë sa situata ekonomike te ne të mbetet e vështirë, e fatkeqësisht siç duket kjo do të vazhdojë edhe për shumë vjet e që do të përcillet edhe me emigrime të popullsisë, meqenëse tash më është e njohur që qeniet njerëzore aspirojnë për jetë më të mirë, edukim cilësorë, jetë të shëndetshme, punë, pagë e pensione dinjitoze, solidaritet, siguri etj.

Autori është doktor i shkencave të demografisë- gjeografisë- Sami Behrami