Lajme

A mund t’iu ndalen pagat mësimdhënësve?!- Deklarohen ekspertët!

10/04/2022 19:07
nga:Y I

Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit grevistë ka hapur një debat të madh në publik se cilat nga palët kanë të drejtë.

Nga Qeveria kanë deklaruar dje se pagat nuk do të procesohen për mësuesit që nuk kanë punuar gjatë muajit shtator ndërsa nga SBASHK-u kanë bërë të ditur se çështjen do ta dërgojnë në gjykatë nëse një gjë e tillë ndodh.

Por cilat nga palët kanë të drejtë, Qeveria apo SBASHK?

Avokati, Skënder Musa, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se një dispozitë e “Ligjit për Greva” thotë se grevistët nuk duhet të ndëshkohen nëse mbajnë grevë që nënkupton që edhe paga nuk mund të ndalet.

Musa e konsideron të gabuar vendimin e Qeverisë për ndaljen e rrogave pasi thotë se të punësuarit kanë të drejtë të hyjnë në grevë.

“Një dispozitë e Ligjit për Greva thotë se grevistët nuk duhet të ndëshkohen nëse mbajnë greva që nënkupton që edhe paga nuk mund të ndalet. Unë mendoj se Qeveria ka bë gabim që i ka ndal rrogat për shkak se të punësuarit kanë të drejtë të hyjnë në grevë” tha juristi Skënder Musa për “Gazeta Blic”.


Skënder Musa, Avokat

Edhe Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, tha për “Gazeta Blic” se do të ishte e padrejtë nëse pagat nuk do t’u  dilnin mësimdhënësve.

“Do të ishte e padrejtë ndaj shumicës së mësimdhënësve që nga fillimi ishin kundër ndërprerjes se procesit mësimorë por me shume inerci u bënë pjesë e grevës. Prioritet në ketë muaj është mësimdhënia, debatet tjera nuk sjellin asgjë me shumë sesa shpërqendrim për mësimdhënësit”

Tutje Qehaja shton se pret që pagat të ekzekutohen nesër, duke i’u referuar edhe komunikatës së fundit të MASHTI.

“Nuk besoj qe qeveria do të ndal pagat e mësimdhënësve, dhe kjo na u dëshmua edhe në komunikatën e fundit të MASHTI” deklaroi ai.


Rinor Qehaja, drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard

Pas vendimit të Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit ka reaguar Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka deklaruar se Qeveria me këtë veprim po tenton të rrënojë Sindikatën më të fortë.

“Ata që na kritikojnë një të vërtetë që mund ta vërtetojnë. Ky është një ndëshkim vetëm ndaj SBASHK-ut, sepse shërbyesit civilë janë në grevë dhe atyre u janë proceduar pagat. Edhe ata ishin në grevë, e ata po marrin paga. Po shihet që syri i qeverisë është të rrënohet SBASHK-u. Po tentojnë ta rrënojnë sindikatën më të fortë. Nuk kanë arritur ta rrënojnë as në vitet e ’90-a, s’do të arrijë ta rrënojë as qeveria Kurti”, ka thënë Jasharaj”

Jasharaj ka thënë se nuk garanton se çfarë do të ndodh nëse nuk ekzekutohen pagat në arsim.

Greva e mësimdhënësve dhe ajo në sektorin publik ka zgjatur pesë javë.

Nga BSPK-ja me datën 1 tetor  njoftuan pezullimin e saj deri në një afat të dytë.

/Gazeta Blic/

 

‘Ultimatumi’ i fundit nga SBASHK-u: Nëse pagat nuk ekzekutohen deri nesër, do të ndërmarrim këto veprime!

 

Rrahman Jasharaj: Vetëm mësuesve u janë ndalur pagat, Kurti synon ta rrënojë SBASHK-un

Orët e humbura për nxënësit dhe pagat e grevistëve, ministrja Nagavci nxjerr një vendim