Lajme

A mund të përsëritet një sulm sikur i Banjskës në Kosovë?

09/24/2024 23:58
nga:G B

“Radojiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb BIA, ambientet e firmës Jabllanovica në Rashkë ngjashëm me ato në Novipazar “Novipazar put”, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiciq dhe grupi i tij”, ka thënë Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.

Jo rrallëherë pas 24 shtatorit të vitit të kaluar, Kosova dha alarme të tilla, se vendi mund të përballet me sulme të reja nga Serbia.

Por, pos zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin, ministrin e Brendshëm e atë të Mbrojtjes, edhe njohës të sigurisë nuk e mohojnë rrezikun e vazhdueshëm nga Serbia.

“Sa i përket çështjes së luftës hibride, sikurse ajo që ishte para një viti në Banjskë, kjo në të vërtet mbetet vazhdimisht një opsion i hapur, nga shteti jo mik, që vetëm ka zgjeruar apetitet e tyre, që pa kurrfarë rezerve them amputimi i pjesës veriore”, ka thënë Ismet Ibishi, Ish-ushtarak.

Ngjashëm thotë edhe një ish-ushtarak tjetër, tash pjesë e Kuvendit të Kosovës.

“Sigurisht që mund të ndodhë, të gjithë jemi koshjent, edhe organet e sigurisë, edhe hetuesisë, se nëpër manastiret serbe, jo vetëm që zhvillohen doktrinat e një lufte kundër Kosovës, por pa dyshim që ka edhe armatime, këtë e dinë mirë e dinë edhe KFOR-i”, ka thënë Hisen Berisha, Deputet i Kuvendit të Kosovës.

Me gjithë rrezikun, sipas ish-kryeinspektori të AKI-së, Burim Ramadani, është e pamundur që Serbia të mund të hyjë në Kosovë me ushtri.

“Sulm ushtarak, nga Serbia në Kosovë nuk do të ketë, jo të paktën derisa ekziston ky rend botëror, nëse kërcet lufta e tretë botërore, ose lufta e katërt pas luftës së tretë, atëherë asgjë nuk mund të përjashtohet”, ka thënë Burim Ramadani, Ish-kryeinspektor i AKI-së.

Vlera e armatimit ushtarak që u kap pas sulmit terrorist nga grupi i serbëve në veri, sipas institucioneve të Kosovës kap vlerën e rreth 5 milionë eurosh./Dukagjini