Lajme

A ka pasur leje nga qeveria investimi i Serbisë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut? Flet kryeministri Albin Kurti

07/07/2021 11:24
nga:M K

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka pyetur kryeministrin Kurti lidhur me dijeninë e qeverisë së Kosovës për investimin e Serbisë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut.

Musliu-Shoshi në seancën e Kuvendit ka shtruar pyetje për Kurtin nëse Ministria e Infrastrukturës ka dhënë leje për investimet aty.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti ka thënë se universiteti në Mitrovicën e Veriut nuk është legjitim dhe Ligji për Arsimin parasheh statut të veçantë për Universitetin atje.

“Nuk ka dyshim që funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me Ligjin e Arsimti dhe nuk është akredituar. Ky universitet nuk financohet nga Republika e Kosovës. Askush nuk duhet të ketë dyshim që shtetit ynë nuk ka mekanizma për të ndaluar aktivitetet e paligjshme. Si shenjë e vullnetit të mirë e ka miratuar rregulloren të datës 30 dhjetor 2015 përmes të cilës shtetasve që kanë mbaruar në këtë universitet u njihet diploma.

Siç e dini Ligji për Arsimin parasheh status të veçantë për Universitetin në komunën e Mitrovicës së Veriut, ky Universitet menaxhohet nga komuna dhe për këtë nuk kërkohet pëlqim nga dikush tjetër. Projektligji për Arsimin është miratuar në vitin 2008, shpejtësia me të cilën koalicioni i atëhershëm PDK dhe LDK e ka menaxhuar atë proces më bën mua të përgjigjem shkurt në pyetje tuaj”, ka thënë ai.