LDK është para një momenti kritik ku drejtimet e ardhmërisë së partisë po përcaktohen. Puna e lidershipit të partisë është me ndërmarrë veprime që janë të vështira aktualisht por që ja sjellin suksesin e partisë në kontekst afatmesëm dhe afatgjatë. E jo të sakrifikoj partinë dhe ardhmërinë e saj për të fituar një betejë afatshkurte.
Kredibiliteti i komunës së Prishtinës është i lënduar. Mënyra si po menaxhohet ‘Afera e Badovcit’ nga menaxhmenti i komunës dhe LDK nuk po e de-eslakon situatën dhe krizën, përkudrazi.
Akuzat për mediat që investiguan rastin, dalja nga salla kur u bisedua dhe votua për shfuqizimin e vendimit në Kuvendin Komunal janë disa nga indikatorët që kjo situatë vetëm po përshkallëzohet.
Largimi i drejtorëve dhe nënkryetarës së Prishtinë së partisë së partnerit të koalicionit në një stil arrogant dhe paksa ‘mafioz’ pa transparencë përmes facebook është me gjasë jo vetëm veprim emocional por edhe gabimi strategjik më i rënd dhe me shumë gjasë i pa rikuperueshëm.
Tashmë LDK ka shumë më shumë kundërshtar dhe ‘armiq’ në Prishtinë sesa më herët dhe nuk e ka më shumicën e nevojshme për me pas një qeverisje të rrjedhshme. Kjo do e bëjë edhe më të vështirë gjendjen. Jo vetëm që nuk e ka një partner, por e ka transformuar një partner në një ‘armik’ të vështirë tash e tutje.
Gjasat janë të mëdha që, në këto kushte, leadershipi i Komunës së Prishtinës nuk do të mund të rikuperohet. Kjo mund të nënkuptoj që kriza do të thellohet dhe sulmet do të shtohen. Problemi më i madh i krizës së Prishtinës është timinigu për LDK.
Kjo aferë u kriju kur LDK kishte krijuar një momentum shumë të mirë dhe kur po konsiderohej si ndoshta një alternativë për zgjedhjet e ardhshme. U kompletuan zgjedhjet e brendshme, u publiku programi i zhvilluar e shkruajtur mirë “Rruga e Re”. Por duket që kjo ‘Aferë e Badovcit’ po e fundosë një rast të mirë të krijuar gjatë dhe që ishte në horizont për LDK.
Gjendja e Prishtinës po bëhet një barrë dhe kosto e madhe për LDK-në. Kredibiliteti dhe integriteti i partisë po vihet në pikëpyetje për shkak se nuk ka zëra brenda partisë që janë kritik dhe që kanë guxim të mbrojnë partinë dhe ndajnë interesin e partisë nga interesi i njerëzve të fuqishëm në parti.
Zhvillimi i kësaj situate javët e ardhshme do të jetë me interes të lartë publik. Bash në këtë moment, qeveria dhe VV, të cilën LDK e ka sfiduar muajt e fundit, ka marr zemër dhe është në ofanzivën më të lartë ndonjëherë. Kjo me qëllim që me përdor gjendjen dhe me e zhvlerësuar pozitën e LDK, sidomos në zgjedhje e ardhshme.
LDK ka shumë pak kohë të ri-organizohet dhe të ndryshoj epilogun rreth gjendjes me Prishtinë. Një gjë është e ditur që metodat, veprimet dhe strategjia e përdorur deri më tani në rastin e Prishtinës nuk do të jep rezultate të mira për partinë. Andaj, mbetet të shofim nëse kjo parti është konsoliduar dhe reformuar aq sa nevojitet të kaloj me sukses krizën e parë serioze deri më tani.