Lajme

A është Agim Bahtiri – Akademik? – Kurti me përgjigje të papritur

10/18/2021 14:25
nga:Mergim Rreci

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se nuk e ka parë deklaratën e kryeparlamentarit e bashkëpartiakut të tij, Glauk Konjufca, i cili e quajti akademik Agim Bahtirin,

Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale në një konferencë për media, i pyetur për deklaratën e Konjufcës, Kurti u shpreh i painformuar për atë deklaratë.

“Përveç asaj pyetjes që ta ka borxh Arben Vitia, edhe këtë tjetrën ta ka borxh Glauk Konjufca. S’arrij t’i shoh emisionet, më vjen keq. Me dëshirën më të madhe, por s’arrij. As në Facebook për besë nuk arrij”, tha Kurti.

Konjufca, në fund të fushatës zgjedhore në Mitrovicë, tha se kandidati i LVV-së dhe kryetari i deritashëm atje, Agim Bahtiri është akademik në aspektin e politikës dhe interesave të popullit.

Në Mitrovicë, sipas Konjufcës, nëse s’je kombëtar nuk i duhesh askujt.

“Nuk i vyn kërkujt hiç çka t’dush me dit, n’botë. Me dit shkencën, a me dit artin, a me dit urbanizmin a, kurgjo kërkujt s’i vyn”, ka thënë ai.

“Në aspektin e politikës edhe në aspektin se qysh i di Agim Bahtiri interesat e këtij populli, për të tjerët kundërkandidatë mujmë me thanë që është akademik”, deklaroi Konjufca.