Lajme

A duhet të shtyhen zgjedhjet në veri? PDK kundër, AAK pro, LDK kërkon plan konkret nga Qeveria

12/07/2022 16:59
nga:G B

Disa shëprthime kanë ndodhur dje në veri të Mitrovicës, derisa zyrtarëve të KQZ-së që kanë shkuar në zyrat e Këshillit Komunal iu është pamundësuar hyrja, për shkak të sulmeve që kanë ndodhur.

E gjithë kjo ka ndodhur për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në veri me 18 dhjetor, në 4 komunat veriore.

Mbrëmë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se zgjedhjet nuk duhet mbajtur me zor dhe se nuk mund të rrezikohet askush.

Sot, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve në këto komuna.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë se zgjedhjet nuk do të shtyhen.

Kurse, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, nga Ura e Ibrit ka thënë se zgjedhjet do të mbahen dhe se Kosova ka kapacitete për mbajtjen e tyre.

E, Presidenca e ka lënë të hapur mundësinë që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve.

Lidhur me situatën dhe atë se a duhet apo jo të shtyhen zgjedhjet në komunat në veri të Mitrovicës, për Gazeta Blic kanë folur partitë opozitare.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, thotë për Gazeta Blic se kjo parti ka edhe kandidatë për zgjedhjet në ato komuna.

“Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur institucioneve tona për të mbajtur zgjedhje në pjesën veriore të vendit, prandaj, edhe kemi kandiduar duke dërguar listën me kandidatët tanë”, deklaron ai.

Abdullahu thekson se ata janë të pajtimit që zgjedhjet të mbahen siç janë mbajtur vazhdimisht.

“Qëndrimi, interesi dhe vullneti ynë si parti opozitare është që në pjesën veriore të Kosovës të mbahen zgjedhjet, siç janë mbajtur vazhdimisht deri sot. Të riaktivizohet plotësisht pushteti i institucioneve tona, të shtrihet gjithandej sovraniteti dhe të gjithë qytetarët, pa dallime, të mos ndihen të pasigurt në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.”, potencon ai për Gazeta Blic.

Mirëpo, ai shton se situata ka ndryshuar në veri dhe kjo është shqetësuese, ndërsa që sipas tij, është detyrë e Qeverisë që të garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në ato komuna.

“Gjithsesi, PDK vlerëson se situata në pjesën veriore të Kosovës ka ndryshuar shumë së fundmi, fatkeqësisht jo për të mirë. Segmentet themelore të jetesës dhe lirisë janë cenuar, me theks të veçantë ai i sigurisë. Kjo gjendje për ne është shumë shqetësuese në shumë dimensione. Megjithatë, është obligim dhe detyrë e Qeverisë që të sigurojë dhe garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të gjitha komunat e pjesës veriore të vendit. Nisur nga kjo pritshmëri, PDK do të vazhdojë përgatitjet e saj për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, vlerëson zëdhënësi i PDK-së.

Sipas tij, anulimi apo shtyrja e zgjedhjeve do të jetë problem dhe dështim me shumë pasoja.

“Anulimi apo shtyrja e zgjedhjeve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, përveç në aspektin kushtetues, do të jetë problem dhe dështim me shumë pasoja, vështirë të riparueshme, të cilat, pos tjerash, do ta dëmtojnë pozitën tonë edhe në dialogun për arritjen e një marrëveshje finale Kosovë – Serbi”, përfundon ai.

Ndërsa, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, thotë se LDK po ndjek me shqetësim ngjarjet në veri.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës.  LDK-ja dënon sulmet dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë”, thotë ajo për Gazeta Blic.

Halimi thotë se LDK vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të koordinohen me partnerët dhe Qeveria të ketë qartësi e plan konkret për gjendjen në veri.

“LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë. LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri”, deklaron Sibel Halimi.

Në anën tjetër, drejtori i informimit në AAK, Lulëzim Blaka, thotë për Gazeta Blic se nuk është koha, rrethanat e as klima për zgjedhje në veri dhe se mbajtja e zgjedhjeve mund të krijojë situata të rrezikshme.

“Nuk është as koha e as rrethanat e as klima për zgjedhje në veri. Tentimi për të mbajtur me çdo kusht zgjedhjet atje, është i pamatur dhe mund të prodhojë situata të rrezikshme”, deklaron ai.

Sipas tij, fillimisht duhet të ketë koordinim me ndërkombëtarët për të gjetur një zgjidhje, që u pret rrugën bandave kriminale.

“Para se të mendohet për zgjedhje duhet që të ketë një koordinim me faktorin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje, e cila i pret rrugën bandave kriminale për ta destabilizuar veriun e për ta rikthyer rendin dhe ligjin”, thekson Blaka./Gazeta Blic/