Lajme

A duhet të lejohet mbajtja e fushatës elektorale në pandemi?- Flasin njohësit e çështjeve politike!

08/20/2021 13:06
nga:Y I

Ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar një numër jashtëzakonisht i lartë i rasteve me Coronavirus, ç’ka ka sjellë edhe vendosjen e masave të reja anti Covid.

Rritja e numrit të rasteve të reja vjen gati një muaj përpara se vendi të shkojë sërish në fushatë elektorale për zgjedhjet e 17 tetorit.

Fushata elektorale mund të shërbejë si “vatër” e re e përhapjes së Covid, prandaj po bëhet thirrje të kihet kujdes dhe respektohen rekomandimet e IKSHPK-së.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Shemsi Jashari, duke analizuar situatën e rënduar të ditëve të fundit, thotë se KQZ duhet të marrë rekomnadimet e IKSHPK-së para çdo vendimi për lejim të fushatës elektorale.

“Gjendja e rënduar shendetësore në dhjetëditëshin e fundit, e cila vjen si pasojë e një hapje të pakontrolluar në kohën kur i kishim bashkëatëdhetarët tanë për pushime, shtonë nevojën që të gjitha veprimet institucionale, ku involvohen shumë njerëz tani e tutje të studiohen mirë dhe të merren vendime që së pari nuk rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.Duke qenë se jemi para një procesi zgjedhor dhe para vendimmarrjes për fushatën zgjedhore, ku grumbullohen turma qytetarësh, KQZ duhet të marrë rekomandimet e IKSHPK para çdo vendimi për lejim të fushatës zgjedhore” tha Jashari për “Gazeta Blic”

Jashari thotë se duhet të zbatohet standarti i njëjtë, nëse lejohet fushata elektorale duhet të lejohen edhe veprimtaritë e bizneseve.

“Duhet të zbatohet një standard unik nëse lejohen grumbullime në fushata duhet të lejohen edhe veprimtarit biznesore, gastronomia, etj.Do të ishte shumë jo korrekte sikur të mbyllen ose kufizohet gastronomia nga e cila varen mijëra punëtorë dhe të lejohen fushatat politike të cilat kanë mjaftë mjete teknike, TV mediume, rrjete sociale për të paraqitur programet e tyre dhe ofertën politike.Nevojën për një kujdes e shton fakti se procesi i vaksinimit është duke ecur ngadal dhe rreziku mund të jetë shumë i madh, nëse lejohen grumbullime të qytetarëve të pavaksinuar.Nëse kufizojmë të gjitha veprimtaritë ekonomike, gastronominë, procesin mësimorë etj,ku është logjika e lejimit të fushatave zgjedhore?Shëndeti në rend të parë” deklaron Jashari.

Edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, duke folur rreth situatës së rënduar pandemike, thekson se duhet të shmangen tubimet në masë.

“Duhet të shmangen tubimet në masë, sepse kjo që ka ndodhë verës me tubime të shfrenuara, dasma dhe ahngje sikur pandemia ka kaluar, ka qenë një arsye me shpërthy sërsih pandemia. Shkurtimi në kohë i fushatës elektorale nuk mendoj se e ndihmon mbrojten nga pandemia, ajo çfarë kishe me e ndihmu kishte qenë shmangia e tubimeve në masë.” tha Spahiu për Gazeta Blic.

Fushata elektorale për zgjedhjet e 17 tetorit ka nisur, edhe pse jo zyrtarisht.

Tubimi në ambiente të mbyllura me një numër të lartë personash mund të sjellë sërish rritje të rasteve me Covid.

Kujtojmë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë regjistruar 2 mijë e 236 raste të reja me Covid dhe kanë humbur jetën tetë qytetarë.

/Gazeta Blic/

 

Nagavci: Deri tani janë vaksinuar mbi 55 mijë punëtorë të stafit arsimor

Rritja e rasteve me Covid, SHKK merr masa të reja për stafin dhe të burgosurit