Së fundmi, vendi ynë po përballet me një rritje të ndejshme të rasteve me vrasje, si dhe rasteve me përdorim të armëve pa leje.
Në vitin e kaluar gjatë shtatë mujorit të parë të vitit 2023 janë konfiskuar 636 armë, ndërsa në këtë vit janë konfiskuar 814 armë të ndryshme, që në bazë të këtyre statsitikave të Policisë së Kosovës, po shënojnë një rritje.
“Gjatë periudhës janar – korrik 2023, janë konfiskuar 636 armë të ndryshme;
Gjatë periudhës janar- korrik 2024, janë konfiskuar 814 armë të ndryshme;
Gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1392 armë të ndryshme”, raporton Policia e Kosovës për GazetaBlic.
Në lidhje me këtë çështje, i pyetur avokati Ardian Bajraktari se a duhet të ketë ndëshkueshmëri më të madhe për vepra penale, “armëmbajtje pa leje”, u përgjigj se ndëshkimi për kësisoj vepra është i lartë, por në praktikë është duke u aplikuar shumë më pak.
“Referuar Kodit penal, gjegjësisht nenit 366, sipas të cilit- Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. Ndërsa nëse kjo vepër penale përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. Pra, ndëshkimi për këtë vepër është relativisht e lartë, mirëpo në praktikë pak aplikohet”, u shpreh Bajraktari për GazetaBlic.
Sipas Bajraktarit, në të shumtën e rasteve lloji i armës që përdoret janë ato armë zjarri, të tipit pistoletë, si dhe armë zjarri me tytë të gjata apo siç njohën ndryshe AK-47.
Duke pasë parasysh se personat që kryejn veprime të tilla janë persona me të kaluar kriminale, përkatësisht persona që kanë kryer edhe më herët vepra penale, avokati Adrian Bajraktari rikujton nenin 70 të Kodit Penal: “Sipas të cilit gjykata me rastin e caktimit të dënimit, ndër të tjera, duhet të marrë parasysh ndonjë dënim penal të mëparshëm të personit, ku kjo është rrethanë rënduese me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit”.
Ai vlerëson se këto çështje nuk janë duke u zbatuar në nivelin e duhur, që sipas tij po nënkupton se këto masa për veprime të tilla nuk po e arrijnë në masën e duhur efektin e tyre.
“Për fat jo të mirë, kjo çështje nuk po zbatohet në nivel të duhur, prandaj duhet rishikuar, që me rastin e caktimit të dënimit, ndaj përsëritësve të veprave penale, të shqiptohen dënime më të ashpra, për faktin se nënkuptohet se masat përkatësisht dënimet paraprake nuk e kanë arrit mjaftueshëm efektin e tyre, e që është risocializimi, riedukimi i të dënuarit, me çka edhe politika e ekzekutimit të sanksioneve penale, duhet rishikuar”, theksoi ai.
E për rastin e fundit që ndodhi në kryeqytet, Bajraktari thotë pavarsishtë që ishte ngjarje e rëndë ishte edhe cenim i rendit të sigurisë publike, që sipas tij kjo duhet me qenë alarm për institucionet e vendit tonë.
“Rastet e fundit, e veçmas ai i së dielës mbrëma, ku për pasojë kishte një të vdekur dhe 5 të plagosur, ishte një ngjarje mjaft e rëndë, përveç se me pasoja për të dy familjet, ishte edhe cenim i rendit dhe sigurisë publike, për faktin se ngjarja ndodhi në një lagje me dendësi të lartë të popullsisë, si dhe u tha se në vend të ngjarjes u gjeten rreth 100 gëzhoja, çka nënkupton se janë shkrepur po aq plumba, ky duhet me qenë alarm për institucionet”, përfundoi Bajraktari.
/GazetaBlic/


