Lajme

A duhet shkurtuar fushata zgjedhore për shkak të rritjes enorme të rasteve me Covid- 19?! Ky është rekomandimi i analistëve politik

08/30/2021 11:43
nga:N M

Numri i rasteve të vdekjeve dhe personave që janë prekur me COVID 19 në ditët e fundit, ka shënuar një rekord të zi në Kosovë.

Për shkak të kësaj, Qeveria e Kosovës bazuar në rekomandimet e ekspertëve tashmë ka filluar me masat e reja që kanë hyrë në fuqi që nga dita e sotme e që do të zgjasin deri më 13 shtator të muajit të ardhshëm.

Krejt këto masa janë marrë për të parandaluar rritjen e numrit të rasteve të reja me virusin COVID 19, variantin Delta i cili po përhapet shumë më shpejt dhe më lehtësisht.

Por para 13 shtatorit kur Qeveria e Kosovës bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike do të rishqyrtojnë këto masa dhe efektin e tyre, pak ditë më vonë do të nis gara për zgjedhjet lokale, e bazuar në ligjin për këto zgjedhje, afati kur partitë politike do t`i bindin qytetarët për t`i votuar, është fiks 30 ditë.

Në kohën kur rastet kanë shënuar rritje rekorde në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të botës, analistët politikë në vend vlerësojnë se të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për shëndetin publik të qytetarëve, por edhe KQZ si organizatore e zgjedhjeve në vend, duhet të marrin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë nëse fushata zgjedhore duhet lejuar për një muaj apo ajo të shkurtohet në vetëm dy javë.

Për Arben Ahmetin, drejtori i TV Kanal 10, para çdo vendimi për shkurtimin apo jo të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, më e rëndësishme është jeta e qytetarëve të Kosovës.

Ai për Gazeta Blic ka thënë se para çdo vendimi për zgjedhjet, Qeveria duhet të marra disa hapa urgjent sa i përket menaxhimit të COVID 19.

“Para se me vendos për fushatë dhe rritje të numrit të policëve dhe inspektorëve, duhet të rritet numri i shtretërve, stafit mjekësor, stafit vaksinues. Duhet të katërfishohet intensiteti i vaksinimit dhe për të ndodhur kjo duhet të kemi vaksina në dispozicion. Duhet bërë ekipe mobile të vaksinimit. Pra, para masave kufizuese e ndëshkuese duhen veprime shpëtuese. Numri i vaksinave aktuale në stoqe është i pakët dhe i pamjaftueshëm. Kryeministri do të duhet t’u drejtohej të gjitha shteteve për ndihmë me vaksina”, thotë Arben Ahmeti.

Shemsi Jashari, analist politikë vlerëson se gjendja e rënduar shëndetësore në dhjetëditëshin e fundit vjen si pasojë e një hapje të pakontrolluar në kohën kur ishin bashkatdhetarët për pushime.

Sipas tij, duhet veprim institucional para çdo vendimi për zgjedhje, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve të Kosovës.

“Duke qenë se jemi para një procesi zgjedhor dhe para vendimmarrjes për fushatën zgjedhore, ku grumbullohen turma qytetarësh, KQZ duhet të marrë rekomandimet e IKSHPK para çdo vendimi për lejim të fushatës zgjedhore. Duhet të zbatohet një standard unik nëse lejohen grumbullime në fushata duhet të lejohen edhe veprimtarit biznesore, gastronomia, etj”, thotë Jashari.

Sipas tij, do të ishte shumë jo korrekte sikur të mbyllen ose kufizohet gastronomia nga e cila varen mijëra punëtorë dhe të lejohen fushatat politike të cilat kanë mjaftë mjete teknike, TV mediume, rrjete sociale për të paraqitur programet e tyre dhe ofertën politike.

“Nevojën për një kujdes e shton fakti se procesi i vaksinimit është duke ecur ngadalë dhe rreziku mund të jetë shumë i madh, nëse lejohen grumbullime të qytetarëve të pavaksinuar. Nëse kufizojmë të gjitha veprimtaritë ekonomike, gastronominë, procesin mësimorë etj,ku është logjika e lejimit të fushatave zgjedhore?, vlerëson ai.

Ndërkohë dje ( e diel) ministri i Shëndetësisë Arben Vitia gjatë një paraqitje për media i pyetu nëse duhet të shkurtohet fushata zgjedhore nga 20 ditë në 14, ai ka thënë se për këtë do të vendoset për marrjes së rekomandime të ekspertëve shëndetësore dhe gjendjes me numrin e rasteve me COVID 19.