A do të vazhdojë Gareth Southgate në stolin e Anglisë? Kjo është pikëpyetja më e madhe që po qarkullon në ditët e fundit në ishull pas eliminimit dramatik të “Tre Luanëve” nga Kupa e Botës.
Opinioni në Angli është i ndarë në dy pjesë, mendimi i parë është që Southgate të vazhdojë projektin me përfaqësuesen ndërsa mendimi i dytë është 52-vjeçari duhet të largohet pas shpërdorimit të disa mundësive të mira për të pasur sukses në futbollin ndërkombëtar.
I emëruar si trajner provizor në vitin 2016, pas shkarkimit të Sam Allardyce për skandalin e përgjimeve, Southgate i ka marrë anglezët nga pika më e ulët pas eliminimit nga Islanda në Europian, në një kombëtare të denjë dhe që paraqitet në bazë të pritshmërive të saj. Në tre turnetë madhorë që Southgate ka drejtuar Anglinë ka prekur gjysmëfinalen e parë të një Kupë Bote për Anglinë që prej Italia 90′, falë avancimit deri në katërshen e më të mirave në Botërorin e Rusisë.
Jo vetëm kaq, por në EURO 2020, Tre Luanët u ngjitën një shkallë më lart duke arritur finalen e parë pas 54 vitesh vitesh. Pavarësisht ecurive mjaft të mira në këto turne, dy humbjet që Anglia ka marrë në këto faza delikate janë kontestuar më së shumti për shkak të qasjes së lojës nga Southgate.
Gjithsesi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për eliminimin në çerekfinale nga Franca. Gjatë periudhës menaxheriale të Southgate, Anglia është akuzuar se nuk di se si të luajë ndaj kombëtareve elitare, që nuk mund të kontrollojë lojën në mesfushë apo që nuk sulmon mjaftueshëm për të merituar më tepër nga një ndeshje. Këto ishin të vërteta ndaj Kroacisë në 2018 dhe Italisë në 2021. Por jo në takimin ndaj Francës.
Rekordi i 52-vjeçarit në krye të Tre Luanëve është tejet pozitiv dhe numrat janë argumenti më i qartë për progresin e anglezëve në vitet e fundit. Gjashtë fitore ka regjistruar Anglia e Southgate në raundet me eliminim direkt të turneve madhorë po aq sa c’kishin regjistruar të gjithë së bashku Sir Alf Ramsey, Ron Greenwood, Bobby Robson, Terry Venables, Kevin Keegan, Glen Hoddle, Sven Goran Eriksson, Fabio Capello dhe Roy Hodgson nga viti 1968 deri në 2016.
Për më tepër, Southgate e ka kthyer kampin e kombëtares nga një ambient polemikash, debatesh dhe përcarjeje në një ambient miqësor, të harmonizuar dhe të unifikikuar. Armiqësia në kombëtare për sa i takon rivalitetit të klubeve është dicka që i takon së shkuarës.
Futbolli në raundet me eliminim direkt përcaktohet shpeshherë nga detajet fare minimale. Anglia nuk është dukur kurrë më e mirë nën drejtimin e Southgate se sa në Katar, që është dhe arsyeja e dëshpërimit të jashtëzakonshëm për ndërprerjen e rrugëtimit që në çerekfinale.
Mbase Southgate kurrë nuk do të fitojë një Kupë Bote për Anglinë, por ai i dërgoi Tre Luanët më pranë se çdokush tjetër që pas Sir Bobby Robsonit në 1990. 52-vjeçari mund të pranojë mosndryshimin edhe njëherë të fundit për të finalizuar projektin që lakmohet prej pesë dekadash, “It’s coming home.”