Sporti

A do të rikthehet tek Drenica, Devolli: Nuk do të punoja më kurrë me këtë kryesi, ishin pa vizion dhe pa plan

06/14/2023 09:40
nga:Mergim Rreci

Drenica është larguar nga elita e futbollit kosovar dhe vitin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë.

Pas 23 vitesh, skuadra nga Skenderaj i ka thënë ‘lamtumirë’ Superligës së Kosovës në futboll, pas një sezoni shumë të dobët të rezultateve, ku arkëtuan vetëm 23 pikë.

Ka pasur largime të mëdha të futbollistëve deri më tash dhe poashtu ende nuk dihet se cili do të jetë projekti për edicionin e ardhshëm.

‘GazetaBlic Sport‘ ka kontaktuar trajnerin Bledar Devolli, trajner ky që e udhëhoqi Drenicën në fund të edicionit që shkoi, i cili tha se do të punonte me kënaqësi tek Drenica, por asesi jo me këtë kryesi momentale dhe me kryetaren, Mihane Bekteshi-Kodra.

Nuk do të punoja më kurrë me këtë kryesi dhe me këtë kryetare, pavarësisht se e dua dhe jam fort i lidhur me atë qytet. Do të punoja me shumë kënaqësi me Drenicën edhe në Ligën e Parë, por me një kryesi tjetër, asesi me këtë që ishte herën  e fundit, sepse ishte pa vizion. Futbolli nuk bëhet pa një plan, nuk mund të flitet në vitin 2023 se a i kanë marr pagat futbollistët apo jo. Atje do të rikthehesha nëse do të ishte kryesia e kaluar me të cilën kemi punuar së bashku”, tha fillimisht Devolli.

Më pas, ai tha se është i hapur edhe për skuadrat nga Superliga e Kosovës dhe se Ballkani duhet të merret si shembull për organizimin e mirë si skuadër.

Jam i hapur edhe për oferta të tjera nga Superliga e Kosovës, por ka intresim edhe nga Shqipëria. Unë mendoj se Ballkani duhet të merret si shembull për mënyrën e organizimit në klub”, përfundoi Devolli.

/GazetaBlic Sport/