Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për furnizim stabil me energji elektrike në natën e Vitit të Ri, mirëpo sipas tij, kjo varet nga prodhimi vendor, shkruan Gazeta Blic.
Buzhala në një prononcim për “Gazeta Blic”, thotë se sot dhe nesër është paraparë të mos ketë reduktime.
“Ne e kemi siguruar importin e nevojshëm, mirëpo kjo varet edhe prej prodhimit vendor sa do të jetë prodhimi dhe varet a siguron KEK-u energjinë shtesë sepse sot ka rënë një bllok. Aktualisht nuk ka reduktime edhe nesër parshihet të mos ketë”, thotë Buzhala.
Derisa po vazhdon kriza energjetike në vend e qytetarët po përballen me reduktime të ashpra, Korporata Energjetike e Kosovës po dështon të ofrojë kapacitetet e saj nga prodhimi vendor.
Përveç problemeve në “Kosovën B” ku jashtë prodhimit e ka një bllok prej 250 megavate orë energji elektrike, tani nga sistemi ka rënë edhe “Blloku A5” i “Kosovës A”. Derisa në dy blloqet tjera, A3 dhe A4 janë paraqitur probleme teknike. Blloku A3 i “Kosovës A” aktualisht ka rrjedhje te hidrogjenit në gjenerator e po ashtu edhe ne Blloku A4 ka rrjedhje dhe telashe të tjera teknike.
Kuvendi i Kosovës, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme energjike për 60 ditët e ardhshme, çka do të thotë se për këtë periudhë, do të përballemi edhe me reduktime më të theksuara, në mënyrë që ta kemi më të lehtë tejkalimin e kësaj krize që ka kapluar mbarë evropën.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një ekspert gjerman për sanimin e problemeve.
Shtetit të Kosovës ai do t’i kushtojë plot 12 mijë euro në ditë, ose 248 mijë euro për tre javë.
Kujtojmë se kryeministri i shqipërisë, Edi Rama, dje përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” konfirmoi ndihmën me energji elektrike për Kosovën për ditën e fundit të vitit dhe ditën e parë të vitit të ardhshëm.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, shkroi Rama.
/Gazeta Blic