Lajme

A do të ketë koalicion PDK-LDK në Suharekë, flet kandidati i Partisë Demokratike, Dardan Berisha

10/23/2025 12:17
nga:Genita C

Kandidati i PDK-së për kryetar të Suharekës, Dardan Berisha, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve mori 9.33% të votave, ka deklaruar se subjekti i tij mbetet i hapur për bashkëpunim me çdo parti që ndan të njëjtat vlera dhe vizion për zhvillimin e komunës.

Ai për GazetaBlic, theksoi se çdo vendim për koalicione do të merret me kujdes dhe në interes të qytetarëve, duke nënvizuar se Suhareka ka nevojë për bashkëpunim të përgjegjshëm, jo për kalkulime politike.

“PDK në Suharekë ka dëshmuar se është forcë serioze, e organizuar dhe përgjegjëse ndaj qytetarëve.Ne jemi të hapur për bashkëpunim me çdo subjekt politik që ndan të njëjtat vlera dhe vizion për zhvillimin e komunës sonë.Për ne, interesat e qytetarëve janë mbi interesat partiake, prandaj çdo vendim për koalicione do të merret me kujdes, pas konsultimeve me strukturat tona dhe duke pasur si qëllim krijimin e një qeverisjeje stabile, bashkëpunuese dhe në shërbim të qytetarëve të Suharekës. Ne besojmë se Suhareka ka nevojë për bashkëpunim të përgjegjshëm, e jo për kalkulime politike”, tha Berisha.

Kujtojmë se, raportimet për një koalicion të mundshëm mes  LDK-së dhe PDK-së në Suharekë nisën nga një foto e përbashkët mes Sami Lushtakut dhe Blerim Kuqit. Sami Lushtaku deklaroi se janë takuar rastësisht dhe vendimet për koalicione nuk i merr ai, por kryesia e partisë.

Ndryshe Ardian Shala i LDK-së sipas votave të KQZ-së ka shkuar në balotazh në Suharekë me Bali Muharremajn e AAK-së.