Lajme

A do të ketë efekt fushata online në zgjedhjet e 17 tetorit?

09/16/2021 13:53
nga:Q R

Allen Meta nga D4D, duke komentuar propozimin e partive politike për të zhvilluar fushatën në mënyrë digjitale, në zgjedhjet e 17 tetorit, vlerëson se prezantimi i plan programit do të jetë më i lehtë i transmetueshëm te qytetarët të cilët në masë të madhe janë përdorues të rrjeteve sociale, shkruan Gazeta Blic.

Allen në një prononcim dhënë për ‘Gazeta Blic’, thotë se D4D do të angazhohet në monitorimin e kësaj fushate në rrjete sociale, me fokus të veçantë në diskursin e përdorur nga partitë politike dhe kandidatët.

“Me shumë gjasë rrjetet sociale do të mbushen me fushatë nga të gjitha partitë dhe kandidatët, duke pas parasysh edhe masat e tanishme të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Ne, D4D do të angazhohemi në monitorimin e kësaj fushate në rrjete sociale me fokus të veçantë në diskursin e përdorur nga partitë politike dhe kandidatët, me shpresën që do t’i përmbahen zotimeve në plotni. Prezantimi i plan programit do të jetë më lehtë i transmetueshëm te qytetarët të cilët në masë të madhe janë përdorues të rrjeteve sociale”, deklaron Meta.

Sipas tij, masat e vendosura kundër Covid-19, duhet të respektohen nga të gjithë, pa marrë parasysh a janë kandidatë, apo qytetarë.

“Sa i përket situatës aktuale me Covid-19, ftojmë të gjithë akterët që t’i respektojnë masat, kështu duke ruajtur shëndetit e tyre dhe të popullit në përgjithësi. Masat e vëna duhet të respektohen nga të gjithë, pa marrë parasysh a janë kandidatë, apo qytetarë. Në të kundërtën denimet duhet të shqiptohen, për të gjithë ata që nuk i respektojnë masat”, thotë ai.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar mbrëmë se fushata online do t’i ketë disa dimensione, ndër të cilat, sipas tij, është komunikimi përmes kanaleve të ndryshme.

“Ne si LDK kemi vendosur që për 30 ditë të fushatës, ne vetëm 5 ditët e fundit të bëjmë fushatë komercionale,  por të reduktuar. Ndërsa 25 ditët tjera ne do të bëjmë fushatë digjitale. Kjo do të ketë disa dimensione, i pari është komunikimi përmes mediave elektronike dhe pastaj përmes kanaleve të ndryshme, kanale individuale apo partiake”, ka thënë Gashi në Kanal10.

Sot ka nisur zyrtarisht periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku me kalendarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fushata zgjedhore fillon më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ditë më parë u kishte dërguar një letër kryetarëve të partive parlamentare, ku për shkak të situatës me pandeminë kishte propozuar fushata të reduktohet në 10 ditë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kishte thënë se shkurtimi i fushatës zgjedhore duhet të trajtohet dhe të merret vendim.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thënë se fushata zgjedhore duhet të shkurtohet edhe më shumë, vetëm në pesë ditë.

Deri tani zyrtarisht, LDK dhe AKK zyrtarisht janë deklaruar pro shkurtimit të fushatës në pesë ditë.

“Në mbledhjen e mbajtur Kryesia e LDK-së, duke marrë për bazë gjendjen e rëndë shëndetësore në vend, gjendje e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedentë, vendosi që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare. Fushata, ndërsa, do të mbahet vetëm në formë digjitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikëri rregullativën në vend mbi tubimet publike”, thuhej në deklaratën e LDK-së.

Ndërkaq, shkurtimin e fushatës në vetëm pesë e ka njoftuar të mërkurën edhe kryetari i AAK-së.

Haradinaj ka bërë të ditur se duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me COVID-19, AAK ka vendosur që fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale ta kufizojë në pesë ditë.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se edhe fushatën pesë ditore do të zhvillojnë në përputhje të plotë me rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me Covid-19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që Fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale Tetor 2021, ta kufizojë në 5 ditë. Poashtu jemi të përcaktuar që edhe këtë afat 5 ditor të fushatës, ta zhvillojmë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit. Do të përpiqemi që të gjejmë mënyra alternative të komunikimit dhe të shpalosim programin dhe objektivat tona për zgjedhjet e 17 tetorit. Gjatë kësaj kohe do ta zbatojmë modelin e fushatës digjitale”, theksoi ai.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte deklaruar se si parti politike janë shprehur se fushata zgjedhore mund të mbahet në vetëm pak ditë apo edhe në anulim të gjithë fushatës.

Megjithatë Vetëvendosje dhe PDK ndonëse në parim janë shprehur për shkurtimin e fushatës nuk kanë njoftuar zyrtarisht nëse do të mbajnë përgjatë 30 ditëve, apo do ta shkurtojnë atë për shkak të situatës me pandeminë.

Fushata zgjedhore – LDK dhe AAK deklarohen për pesë ditë fushatë, LVV dhe PDK pa qëndrim zyrtar