Pas ‘konfirmimit’ të ardhjes së Zidane në PSG, nga kushëriri i pronarit të PSG-së, Khalifah Bin Hamad Al-Thani, ishte radha e Leonardos të komentonte një nga çështjet më të përfolura të ditëve të fundit për parisienët e klubit.
Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain përsëriti besimin e plotë të klubit te Mauricio Pochettino, duke siguruar se trajneri argjentinas “asnjëherë nuk kërkoi të largohej” dhe se klubi nuk kishte iniciuar asnjë lloj kontakti me Zidane, përcjell GazetaBlic Sport.
“Është e rëndësishme të sqarohet kjo situatë, duke pasur parasysh sasinë e informacionit të rremë që qarkullon. Mauricio Pochettino ka një kontratë me klubin deri në vitin 2023. Ne nuk duam që Pochettino të largohet. Ai kurrë nuk kërkoi të largohej dhe asnjë klub nuk na kontaktoi për të. Ne kemi shumë respekt për Zidane dhe atë që ai ka bërë si lojtar dhe si trajner. Por mund të them qartë se nuk ka kontakte me Zidane dhe se nuk ka pasur takime. Është qesharake të imagjinohet se një takim me Zidane mund të kishte ndodhur në një hotel të madh në Paris, në sytë e të gjithëve”, shpjegoi Leonardo Araújo për AFP.
/GazetaBlic Sport/


