Lajme

A do të jenë pjesë e delegacionit për dialog zyrtarët e partive opozitare?

05/01/2021 08:00
nga:M K

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, thonë se procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta përcjellin me kujdes, por nuk thonë nëse zyrtarët e tyre do të jenë pjesë e delegacionit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar në Bruksel më 29 prill, se në muajin maj, do të ketë takime me përfaqësuesit e opozitës për të pasur qëndrimet e tyre.

Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK-ja do ta luajë rolin e saj si opozitë parlamentare, në mënyrë që dialogu të përfundojë suksesshëm me njohje reciproke, në kufijtë aktualë dhe në respektim të parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Halimi thotë po ashtu se LDK-ja është në pritje nga qeveria Kurti, që sa më parë të përgatisë parimet, mbi bazën e të cilave do të zhvillohet dialogu, gjë të cilën, siç thotë ajo, nuk e ka bërë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përcaktuar qartë për të luajtur rolin e saj kushtetues në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, sa i takon dialogut me Serbinë, për të siguruar që marrëveshjet që dalin nga ky proces, të jenë në frymën e njëjtë të respektimit të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, theksoi Halimi.

Derisa në Partinë Demokratike të Kosovës, zyrtarët e saj nuk kanë dashur të flasin për ketë çështje, ata në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se AAK-ja, do të kryejë të gjitha obligimet lidhur me dialogun, si parti opozitare nga Kuvendi i Kosovës.

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë, se AAK-ja konsideron se temat nacionale nuk janë ekskluzivitet i askujt. Sipas saj, askush nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin Kurti, nuk duhet të ndërmarr veprime sa i përket temave të dialogut me Serbinë, e që do e befasonin Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“I kemi parë takimet e fundit të zotit Kurti që ka shkuar në Bruksel, duke mos njoftuar absolutisht as kuvendin dhe as nuk ka njoftuar për asgjë kuvendin rreth agjendës”, tha Haxhiu.

AAK-ja në qëndrimin e saj për dialogun thotë se “Aleanca pret njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.”

Po ashtu, kjo parti thotë se “Askush nuk ka mandat të dialogojë Kosovën e 17 shkurtit dhe se debatet e ngritura së fundmi për disa të ashtuquajtura “non paper”, nuk janë çështje për diskutim”.

Nga ana tjetër, Grupi për Ballkan (BPRG), Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave tjera që ndërlidhen me dialogun.

Sipas këtij, memorandumi, ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe pëmbajtësore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu [ish-ambasador], Robert Muharremi [jurist], Muhamet Mustafa [ish-deputet], Veton Surroi [publicist]. Grupi për Ballkan (BPRG), ka njoftuar se grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala [ish-këshilltar i presidenti Hashim Thaçi].

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duhet të krijoj një situatë të favorshme politike, që të ketë konsultime më partitë politike opozitare dhe t’i ftojë ata që të bëhen pjesë e procesit.

“Ne nuk presim domosdoshmërisht që opozita të jetë pjesë e procesit drejtpërdrejt në ekipet negociuese. Por, gjithsesi presim që ata të japin kontributin e tyre qoftë në konsultimet që mund të bëjë me qeverinë, qoftë në ushtrimin e rolit të tyre në Kuvend. Ajo që presim nga opozita, është që të luaj një rol konstruktiv në ketë proces”, tha Krasniqi.

Krasniqi, duke folur për angazhimin e mundshëm të ekspertëve në procesin e dialogut, tha se veprimet e tilla janë të rëndësishme, marr parasysh përvoja e atyre njerëzve që në mënyra të ndryshme kanë qenë të angazhuar në procese të caktuara.

“Është pozitive që të ketë sa ma shumë eksperte të fushave të ndryshme që pozicioni i Kosovës të prezantohet sa më mirë dhe Kosova të jetë e përgatitur për ketë proces”, tha ajo.

Kurti ka konfirmuar se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut me Serbinë, në muajin qershor. Ai ka deklaruar se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç është shprehur ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011, me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012, kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

LEXO EDHE:

Azem Vllasi i gatshëm të përfshihet në ekipin dialogues me Serbinë