Lajme

A do të arrijë Kurti t’i bindë deputetët e partisë së tij, që të votojnë pro Kodit Civil?

04/28/2024 14:14
nga:G B

Kodi Civil është riaktualizuar tani nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai këtë e bëri në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD – partia në pushtet e kancelarit Olaf Scholz – në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, ku tha se do të merret personalisht me këtë çështje, që t’i sigurojë votat pro, dhe se është caktuar edhe vendimi për mbledhjen e Qeverisë.

Por, siç dihen prej kohësh, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë kundër këtij projektligji dhe vazhdimisht janë shprehur se nuk do të ndryshojnë qëndrim.

Pas kësaj deklarate të Kurtit, deputeti i partisë së tij, Gramos Agusholli, u shpreh se qëndrimin nuk e ndryshon edhe nëse i kushton me pozitën që ka si deputet.

Se deputetët e VV-së nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me këtë projektligj ishte shprehur së fundi edhe shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte kërkuar dhe ndihmën e opozitës, që projektligji të kalonte.

Po ashtu, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se Kodi Civil do të procedohet në vitin 2024, duke potencuar se s’janë të sigurt nëse i kanë votat.

Ende nuk dihet nëse Kurti do të arrijë t’i bindë personalisht deputetët kundërshtues dhe do të kalojë ky projektligj, apo do të vazhdojë të zvarritet, në kërkim të votave./Gazeta Blic/