Diplomati i karrierës, Albert Prenkaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës sa i përket raporteve me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se mungesa e koordinimit me aleatët dhe politikat vetëizoluese kanë ndikuar në humbjen e mbështetjes ndërkombëtare për vendin.
Prenkaj ka folur edhe për procesin e integrimit evropian, duke theksuar se Kosova ka ende një sërë obligimesh që duhet t’i përmbushë para se të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka përmendur përafrimin e sistemit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara në Raportin e Progresit.
Sipas Prenkajt, Kosova është dashur të ketë më shumë komunikim me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që janë pjesë e procesit të integrimit evropian.
“Ka një sërë kriteresh që pritet nga Kosova të plotësohen, por, siç kemi parë në Raportin e Progresit, Kosova lë për të dëshiruar”, ka deklaruar ai për KlanKosova.
Duke folur për mbështetjen ndërkombëtare, Prenkaj ka thënë se Kosovës i nevojiten një ose dy shtete sponsorizuese që do ta shtynin përpara në rrugën drejt BE-së.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se gjatë gjashtë vjetëve të fundit, politika e Kosovës nuk ka qenë e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, duke ndikuar, sipas tij, në ftohjen e marrëdhënieve me miqtë e vendit.
“Për shkak të këtyre gjashtë vjetëve të një politike jokordinuese, të një politike izolacioniste, vetëizoluese të Kosovës, janë ftohur edhe miqtë e Kosovës.., Kosova ka humbur besimin, pra nuk kemi pasur qeveri të besueshme për komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Prenkaj.


