Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te shoferët që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, pas reshjeve të borës dhe krijimit të ngricave në rajon.
Sipas njoftimit të policisë, reshjet e borës kanë vazhduar gjatë gjithë natës, duke përfshirë komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime dhe Shtërpcë.
Edhe pse të gjitha rrugët në këtë rajon janë të kalueshme, në disa zona malore qarkullimi po zhvillohet me vështirësi për shkak të borës dhe ngricave.
Ndërkohë, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë duke punuar vazhdimisht në terren, ndërsa Policia Rajonale e Ferizajt, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po monitoron nga afër situatën dhe është e gatshme të intervenojë sipas nevojës.
Policia u bën thirrje të gjithë shoferëve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë ndërmjet automjeteve dhe të përdorin pajisjet dimërore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat ku kushtet atmosferike janë më të vështira dhe të tregojnë përgjegjësi të shtuar gjatë gjithë kohës së qarkullimit.


