Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Kliti Hoti, ka mbetur i lënduar gjatë protestës së mbajtur këtë të diel në Tiranë, pasi dyshohet se është goditur me plumb gome nga efektivët e policisë.
Sipas pamjeve nga protesta, Hoti shihet duke vrapuar në bulevard, por në një moment rrëzohet në tokë pasi dyshohet se është qëlluar me plumb gome në shpinë.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në momentin kur deputeti ka tentuar të ndërhyjë, pasi policia po shoqëronte një protestues.
Në ndihmë të tij kanë dalë disa protestues që ndodheshin pranë, ndërsa më pas deputeti është marrë nga një autoambulancë dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Hoti është deputet i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës.
Lëndimi i tij vjen në kohën kur protesta para Kryeministrisë në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe spraj me piper për shpërndarjen e turmës.


