Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka sfiduar Qeverinë Kurti të dëshmojë pretendimin për ndërtimin e 800 kilometrave rrugë gjatë mandatit.
Bajrami ka kërkuar publikimin e listës së plotë të rrugëve, duke specifikuar gjatësinë, datën e përfundimit dhe burimin e financimit për secilën prej tyre.
“Këtu e sfidoj Qeverinë. Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën”, ka shkruar Bajrami.
Postimi i saj i plotë:
800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit, ku janë?
Të nderuar qytetarë,
Në raportin e ”perlave të Kurtit” rrugët e pakryera paraqitën si kursime, e investimet e planifikuara si suksese. Shiheni vetë çka shkruan në foto, pjesë nga raporti.
– 150 milionë euro “kursime” për rrugën Kijevë – Zahaq. Qeveria thotë se i ka kursyer duke i anuluar shpronësimet. Po rruga ku është? Normal se ke kursy për rrugën që nuk e ke kry. Kur të kryhet dil trego sa ka kushtu.
– 200 milionë euro të parapara për hekurudhën Hani i Elezit – Leshak. Në raport shkruan “investime të parapara”. Seriozisht, ky është suksesi juaj?
Ajo çka ju keni paraparë pas gjatë vitesh në pushtet!
Gjendjen e hekurudhave dhe të trenave në Kosovë e dimë të gjithë e edhe sukseset në këtë sektor po ashtu.
– 51,5 milionë euro për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve.
Ata që janë sot në rrugë e shohin vetë çfarë mirëmbajtjeje po marrin. Rrugë me borë gjithandej, e në shumë prej tyre s’po shihet kush duke i pastruar.
– 800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit.
Këtu e sfidoj Qeverinë. Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën. Të shohim sa kilometra i ka ndërtuar Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa i kanë shtruar vetë komunat. Komunat marrin vetëm rreth 21% të buxhetit të përgjithshëm dhe punën që e kanë bërë me buxhetin e tyre, le t’ua njohim atyre.
”800 km”
Publikojeni listën!


